Tragjedia në Potam ku humbi jetën 7-vjeçarja dy vite më parë, Prokuroria e Vlorës kërkon 15 vite burg për Arjan Tasen

08/05/2024 16:17

Prokuroria e Vlorës ka kërkuar deklarimin fajtor të ish-policit Arjan Tase, pasi përplasi me skaf për vdekje të miturën Jonada Avdia, më 2 gusht të vitit 2022, ndërsa po pushonte me familjen në Potam të Himarës.

Për të pandehurin, Prokuroria ka kërkuar dënim me 15 vite burg për veprën ‘Vrasje me Dashje’.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Plazhin e Potamit në Himarë. Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Jonada me origjinë nga Tropoja kishte ardhur me pushime me prindërit e saj, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetonin në Angli. Ngjarja tronditi opinionin publik në të gjithë Shqipërinë të cilët u ngritën në protesta për javë me radhë. Për këtë ngjarje është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bazë të nenit 378 të K.Pr.Penale ka parashtruar konkluzionet përfundimtare në lidhje me procedimin penal nr.918 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin A.T. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Kjo prokurori, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.T., dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me dashje’.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri A.T., ka qënë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura J.A. ndërroi jetë në moment.

Në lidhje me të pandehurin A.T., nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri A.T., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA