Policia e Elbasanit ka arrestuar 4 persona, për akuza të ndryshme penale.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ndaloi shtetasin T. D., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nëpërmjet një biznesi për shitjen me shumicë të metaleve, lëshonte fatura të mallrave, me vlera fiktive, duke mashtruar lidhur me TVSH-në, me qëllim përfitimin ekonomik. Ky rast është goditur nga Policia e Elbasanit, në muajin nëntor të vitit 2023.
Komisariati i Policisë Elbasan po ashtu arrestoi në flagrancë shtetasin M. T., 38 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur një çadër (tendë) të vendosur përpara një dyqani, në lagjen “28 nëntori”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një karrocë dore me të cilën dyshohet se ky shtetas do të transportonte çadrën;
Në pranga ka rënë edhe shtetasin S. I., 36 vjeç, banues në Elbasan, pasi kishte dalë nga banesa, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Është arrestuar po ashtu shtetasi Sh. B., 49 vjeç, banues në Elbasan, si dhe referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij 17 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjerin, në ambientet e Policisë, ku ishin shoqëruar për sqarimin e rrethanave të një konflikti në të cilin ishte përfshirë 17-vjeçari, kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe kanë dëmtuar disa pajisje kompjuterike dhe xhamin e një dritareje;
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për shtetasin M. Q., 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë përgjegjës në Sektorin e Ndriçimit pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike në A.Sh.P.U, bashkia Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 19.04.2024, punonjësi i Sektorit të Ndriçimit, shtetasi E. B., gjatë punës për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, u rrezua nga vinçi dhe si pasojë humbi jetën.
Komisariati i Policisë Peqin arrestoi në flagrancë shtetasin M. P., 33 vjeç, banues në fshatin Pajovë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sektori i Policisë Rrugore Elbasan referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. Xh., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Haxhias”, me automjetin që drejtonte ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin A. P., 30 vjeç, banues në Gjinar, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Top Channel