Draft rezoluta e propozuar një ditë më parë nga kryeministri Rama për mirëqeverisjen vendit, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin si dhe ftesa që ai i bëri opozitës për ta votuar atë, ka shkaktuar debate të forta në grupin parlamentar të Rithemelimit.
Burimet i thanë Top Channel se ishte kreu i grupit, Gazment Bardhi i cili e ka hapur këtë çështje duke kërkuar edhe mendimin e deputetëve demokratë përt qëndrimin që pakica do të duhet të mbajë ndaj ftesës së kryeministrit Rama.
Pas tij ishte deputetja e Shkodrës, Greta Bardeli e cila ka kërkuar më parë një mendim të ish-kryeministrit Berisha. “Ne duhet të konsultohemi me doktorin përpara se të marrim një vendim për këtë çështje”, mësohet të ketë thënë Bardeli.
Si përgjigje kreu i grupit Gazment Bardhi ka deklaruar se ka biseduar më parë me Berishën dhe ka qenë mendimi i ish-kryeministrit, i ndodhur që prej dhjetorit të kaluar në arrest shtëpie, për ta diskutuar dhe vendosur brenda grupit parlamentar.
Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se kundër pranimit të ftesës së Ramës, por me tone goxha të zbutura ka qenë edhe deputeti i Durrësit, Ferdinand Xhaferraj. “Ne në të kaluarën kemi qenë opozitë fiktive dhe duke pranuar këtë ftesë rrezikojmë të bëhemi sërish opozitë fiktive në Kuvend”, ka thënë Xhaferraj.
Më shumë kujdes në trajtimin e projekt rezolutës ka kërkuar edhe ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, sipas të cilit përmbajtja e draftit duhet parë me kujdes nëse dublon komisionet parlamentare që funksionojnë tashmë në Kuvend.
Por përkundër zërave skeptikë dhe refuzues, nënkryetari demokrat i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj është shprehur se opozita nuk mund të japë që tani një përgjigje refuzuese për draftin.
“Nuk kemi pse të mos e refuzojmë cështjen në parim, ta shqyrtojmë hap pas hapi dhe të shohim çfarë është në favorin toën dhe në favor të vendit”, mësohet të ketë thënë Gjekmarkaj.
Top Channel