Këtë të mërkurë pjesa më e madhe e skuadrave të Kategorisë së Parë zhvilluan takimet e javës së 33-të ose thënë ndryshe të raundit të fundit për sezonin 2023-2024, ndërsa u vendosën edhe verdiketet finale të renditjes.
Përveç Bylisit dhe AF Elbasanit që e mbyllin të enjten sezonit, të gjithë ekipet e tjera i mbyllën llogaritë.
Besa Kavajë-Flamurtari përfundoi me rezultatin 1-0, me golin e vetëm që u realizua nga Balla në minutën e 57’.
Ndonëse mori 3 pikët në javën e fundit, Besa do të luajë në “play-out” për të siguruar mbijetesën në Kategorinë e Parë, pasi renditet në vend të nëntë me 38 pikë.
Flamurtari nga ana tjetër renditet në vend të tretë me 58 pikë dhe do të garojë në “Play-off” për një vend të Superiore.
Luzi-Vora ndanë pikët në takimin e javës së fundit, që u mbyll me barazimin 3-3. Një pikë që nuk bën asnjë diferencë për Luzin që renditet në vend të 11-të me 31 pikë dhe që ka rënë në Kategorinë e Dytë.
Ndërkohë Vora nga ana tjetër renditet në vend të katërt me 50 pikë dhe do të garojë në “play-off” për të siguruar ngjitjen në Superiore.
Kastrioti-Korabi u mbyll me rezultatin 4-2, me krutanët që renditen në vend të shtatë me 40 pikë dhe që do duhet që edhe sezonin e ardhshëm të luajnë në Kategorinë e Parë. Korabi nga ana tjetër renditet në vend të gjashtë me 44 pikë dhe ka mundësinë për të siguruar pjesëmarrjen në Superiore me anë të “Play-off”.
Lushnja fitoi me rezultatin 0-2 në transfertën e Tomorit, megjithatë pa mundur të ketë asnjë ndryshim në renditje. Skuadra e Tomorit që e mbylli sezonin në vend të fundit me 17 pikë, prej javësh ka rënë në Kategorinë e Dytë. Ndërkohë Lushnja nga ana tjetër që e mbylli sezonin në vend të 10-të me 38 pikë, do duhet të ndeshet në “Play-out” për të bërë të mundur qëndrimin në Kategorinë e Parë.
Burreli fitoi me rezultatin 2-1 ndaj Apolonisë dhe e mbylli sezonin në vend të tetë me 40 pikë, duke bërë të mundur që edhe sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e Kategorisë së Parë.
Ndërsa Apolonia nga ana tjetër renditet në vend të pestë me 46 pikë dhe do garojë në “Play-off” për të bërë të mundur ngjitjen në Superiore.
Sa i përket AF Elbasanit dhe Bylisit që këtë të enjte do të zhvillojnë ndeshjen e fundit të sezonit, të dyja kanë siguruar ngjitjen në Superiore, duke u renditur respektivisht “verdheblutë” në krye me 76 pikë, teksa ballshiotët në vend të dytë me 71 pikë./SuperSport
Top Channel