Kryeministri Edi Rama ndodhet në Aachen të Gjermanisë në panelin “Perspektiva Europiane e Ballkanit Perëndimor” në Charlemagne Prize on Europe.
“Ne ishim të izoluar si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja, të jesh pjesë e BE është aq e thjeshtë dhe thelbësore sa ishte për etërit themelues, të jesh pjesë e BE është për ne të jesh pjesë e një bashkësie paqeje bashkëpunimi dhe sigurie, BE perceptohet si një bankomat për ne nuk është kështu nuk ka të bëjë me paranë, ka të bëjë me një parametër paqeje mbështetur në vlera, tolerancë, po bëjmë maksimumin, nuk është e lehtë, kam mësuar se sa më shumë flet për Shqipërinë dhe Ballkanin aq më pak kuptojnë njerëzit, në kuadrin e integrimit dhe zgjerimit ka një element interesant që lidhet me sloganin e famshëm të valës së madhe të zgjerimit të 2004 hyrja në BE ishte kthim në shtëpi, ne s’kemi qenë kurrë pjesë e tij por e kemi ëndërruar, ishim të pushtuar nga perandoria otomane”, tha Rama.
Dr. Jürgen Linden, Kryetar i bordit drejtues “International Charlemagne Prize”: Do të doja ta hapja ndoshta një kapitull të ri dhe të rëndësishëm të historisë europiane që është zgjerimi me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Mund të jetë një kapitull ekonomie, mund të jetë një kapitull bashkëpunimi, por po kështu mund të jetë një kapitull për vendosjen e demokracisë, bërjes së reformave dhe paqes së qëndrueshme.
Kështu, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë mund të na e shpjegojë më mirë këtë projekt dhe në këtë kuptim do të doja që t’ia lija fjalën shkëlqesisë së tij, zoti Edi Rama. Kryeministër, fjala është për ju që të na shpjegoni procesin, zhvillimin e ndoshta dhe pengesat e këtij procesi.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Kërkoj ndjesë që nuk flas gjermanisht, shumë e vështirë për mua dhe jam mjaft i nderuar që kam këtë mundësi që të flas në këtë forum. Po ashtu, është kënaqësi që mund të marrim një moment për të folur për një pjesë të Europës që ende po rreket të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ndërkohë që është në zemër të Europës dhe në të njëjtën kohë, duke qenë realiteti i vetëm gjeografik në historinë e hartave që një entitet vendesh rrethohet nga kufijtë e BE-së, çka e bën në fakt Bashkimin Europian një rast unik po kështu, në historinë e hartave sepse është i vetmi entitet politik me një kufi të jashtëm që e kufizon vetveten me pjesën tjetër të tij dhe një kufi i brendshëm, që kufizon në vetvete 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Që të vish në Shqipëri të duhet të dalësh nga Bashkimi Europian, por të hysh në zemër të Europës dhe kjo vlen edhe për morinë e migrantëve që erdhën në Gjermani, sidomos gjatë krizës së madhe të refugjatëve të vitit 2015. Atyre iu desh të hynin në BE përmes Greqisë, iu desh të dilnin nga BE-ja për në Maqedoninë e Veriut e të hynin sërish në BE përmes Kroacisë apo Hungarisë. Më duket po kështu se Ballkani Perëndimor është aty dhe për të qenë dëshmitar i faktit se termi “zgjerim” nuk përshtatet e nuk ka të bëjë me zgjerimin sepse kur merr peshë, zgjerohesh, por kur të duhet të integrosh pjesë të stomakut me trupin nuk zgjerohesh, bashkon.
Për t’u bashkuar me BE sigurisht na duhet që të bëjmë detyrat e shtëpisë, kjo është afërmendsh, por në të njëjtën kohë falë Vladimir Putinit për fat të keq, BE kuptoi se aspekti gjeopolitik është shumë më tepër i dukshëm në vetvete sesa iu dukej në momentin që gjithkush mendonte se luftërat ishin një problem i së shkuarës e që ato nuk do të ktheheshin kurrë në Europë.
Ndaj kur agresioni rus nisi kundër Ukrainës, BE, qëndrimi i BE ndaj Ballkanit Perëndimor ndryshoi përgjithnjë e ndryshoi për mirë. Tashmë është vetëm se logjike që bashkimi i Europës është një domosdoshmëri e është një domosdoshmëri për hir të vetë Bashkimit Europian.
Për të folur tanimë për ne, për Shqipërinë, ne kemi një histori mjaft të veçantw e unike që është e pakrahasueshme me historinë e ish-vendeve të tjera komuniste sepse ne ishim të izoluar si nga perëndimi ashtu edhe nga lindja dhe për ne, të dyja ato ishin dy anë të së njëjtës medalje.
Pra, ishim njëfarësoj një Kore Veriu në mes të Europës, për shumë e shumë vite dhe në të njëjtën kohë u bëmë i vetmi vend që pas rënies së komunizmit nuk kishte një parti komuniste dhe ende nuk e kemi një. As parti komuniste as diçka të ngjashme me të. Izolimi ynë, tejet i dhimbshëm na bëri ndërkohë të jemi ai vend që sot mbështetur ne barometrin e Bashkimit Europian të jetë vendi më pro-europian në Europë, përfshirë Gjermaninë.
Për ne, të jesh pjesë e BE është aq e thjeshtë e aq thelbësore sa ç’ishte për etërit themelues kur nisën të ndërtonin BE. Të jesh pjesë e Bashkimit Europian është për ne, të jesh pjesë e një bashkësie paqeje, bashkëpunimi dhe sigurie. Në shumë realitete të tjera BE perceptohet si një bankomat, për ne nuk është kështu. Nuk ka të bëjë me paratë, ka të bëjë me një parametër paqeje mbështetur në vlera, një parametër tolerance mbështetur në vlera, një parametër sigurie mbështetur në vlera.
Kështu që po bëjmë maksimumin, natyrisht nuk është e lehtë dhe nuk do të vazhdoj të flas gjatë për këtë sepse kam mësuar se sa më shumë flet për Shqipërinë e për Ballkanin, aq më pak kuptojnë njerëzit sepse bëhet gjithmonë e më e ndërlikuar. Kështu dua vetëm të them që në kuadrin e integrimit dhe të zgjerimit ka një element mjaft të veçantë që lidhet edhe me sloganin e famshëm të valës së madhe të zgjerimit të vitit 2004, kur për shumë vende hyrja në BE ishte kthim në shtëpi. Në fakt për ne është ndryshe sepse ne s’kemi qenë kurrë pjesë e tij, por gjithmonë e kemi ëndërruar.
Ne ishim të pushtuar nga Perandoria Otomane, ishim të fundit që u larguam e që u bëmë të pavarur. Më pas na u desh të përjetonim regjime që na mbajtën jashtë dyerve të Europës, duke e bërë të pamundur për ne të imagjinonim që dikur, një ditë, ëndrra jonë do të kthehej në realitet dhe një prej poetëve të Rilindjes shqiptare shkruante për këtë se “për ne dielli lind nga perëndon”, duke nënkuptuar perëndimin.
Kështu që, së fundmi ne mundëm ta bënim këtë zgjedhje, por nën ritmin e integrimit mund të shohësh që ka vende që kanë më shumë raport, apo raportohen më shumë sa i takon të jetuarit në një strukturë institucionale, ndërkohë që vende si vendet të Ballkanit Perëndimor që për fat të keq nuk e kanë patur këtë strukturë, kanë një detyrë shumë më te vështirë sepse na duhet t’i ndërtojmë shumë gjëra nga zero. S’ka traditë të shtetit, s’ka traditë të botës akademike, s’ka traditë të shoqatave fetare, të shoqërisë civile, e kështu me radhë. Ja pse ne e vlerësojmë Bashkimin Europian si burimi më i jashtëzakonshëm i dijes për ne që të ndërtojmë institucione. Është afërmendsh që të ndërtosh institucione në një vend ku të gjithë jemi kushërinj, nuk është e lehtë dhe të ndërtosh institucione në një epokë ku rrjetet sociale po shkatërrojnë shumë prej atyre sigurive e referencave që ishin të padiskutueshme në mënyrën se si komunitetet ndërtonin jetën e në mënyrën se si prindërit edukonin fëmijët e tyre, e bën këtë më të vështirë, por ne duam ta bëjmë një gjë të tillë dhe do ta bëjmë me çdo kusht.
Nuk e di se çfarë do të ndodhe me BE vitet qe vijnë, por është e sigurtë se edhe nëse BE zhduket, Shqipëria do të vazhdojë të luftojë të jetë pjesë e BE.
Dr. Jürgen Linden: Faleminderit, Kryeministër për deklarimet e qarta dhe për deklarimin për t’ju qasur e për t’ju afruar Bashkimit Europian , më lër ta them, sa më shpejt të jetë e mundur, por po flasim për 6 vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor dhe pyetja është; a janë këto vende të gjitha dakord me njëra-tjetrën dhe pyetja e dytë është: a ka ndikime të tjera përtej Bashkimit Europian, për shembull ndikimi rus, duke qenë se jeni gjeografikisht midis Perëndimit dhe Lindjes?
Kryeministri Edi Rama: A biem dakord të gjithë me njëri-tjetrin? Mendoj që biem dakord me njëri-tjetrin më shumë se në çdo kohë të historisë sonë dhe një nga arsyet që sot jemi në pozitën më të mirë që kemi qenë ndonjëherë, sa i takon komunikimit dhe bashkëpunimit është Angela Merkel. Ajo bëri diçka mjaft të rëndësishme për historinë e Ballkanit Perëndimor dhe për ritmin e integrimit tonë në Bashkimin Europian, duke nisur atë çka sot njihet mirë si Procesi i Berlinit. Për herë të parë në historinë tonë, 6 udhëheqës të vendeve më me telashe të Bashkimit Europian, që janë 6 vende që përherë janë parë si ata të tmerrshmit, u takuan në Berlin në 2014, saktësisht 10 vjet më parë dhe u bënë bashkë, jo për të vrarë njëri-tjetrin, jo për t’i bërtitur e ulëritur njëri-tjetrit e jo për të diskutuar se kush ka ardhur i pari e kush ka ardhur më pas, kush ka të drejtën për t’u imponuar mbi të tjerët që ka qenë karakteristikë e historisë sonë, por u takuan të diskutonin se çfarë mund të bënin së bashku për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët
Dr. Jürgen Linden: Që do të thotë që bini dakord me njëri-tjetrin, që të gjashtë.
Kryeministri Edi Rama: Kjo nënkupton, pikë së pari, që unë akoma e dua Angela Merkel. Së dyti, kjo nënkupton që qysh prej asaj kohe ne nisëm një proces që na solli gjithmonë e më pranë dhe sot kemi një komunikim të vazhdueshëm e sistematik.
Ndërkohë që, siç e dini mjaft mirë, duke qenë se e tha dhe më parë, falë Komisionit Europian dhe udhëheqjes së Ursula Von der Leyen, tashmë kemi dhe Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që praktikisht është një produkt novator i këtij ndërgjegjësimi të ri në Bruksel, që këto vende kanë nevojë të ndihmohen për të qenë më shpejt gati për Bashkimin Europian.
Dua vetëm të shtoj diçka për Rusinë në qoftë se nuk ju vjen keq sepse më pyetët për ndikimin e saj. Dua të them që për shkak të historisë sonë, ne nuk kemi as marrëdhënie të ngushta e as oreks për t’i pasur ato me Rusinë sepse diktatori ynë vendosi të dilte nga blloku lindor dhe Traktati i Varshavës në momentin kur Krushov vendosi të ndryshonte linjën politike në Moskë. Kështu që, Shqipëria i mbeti besnike Stalinit deri në vitet ’90 dhe në ndërkohë që në Bashkimin Sovjetiv dhe në vendet e tjera, monumenti i Stalinit nuk ishte më në sheshet kryesore, ne e kishim Stalinin në pjesën më qëndrore të kryeqytetit. Për shkak të kësaj, ne nuk kemi aspak oreks për t’u afruar me Rusinë. Në 33 vjet, qysh se dolëm nga errësira, kurrë nuk ka pasur një vizitë zyrtare të palës sonë, vizitë e nivelit të lartë në Moskë dhe asnjëherë një vizitë e nivelit të lartë të Moskës në Tiranë dhe nuk na mungon. Por për vendet e tjera, – me përjashtim të Kosovës sepse edhe në Kosovë, Rusia nuk ka ndikim, Kosova nuk e ka një oreks të tillë – pra në vendet e tjera, Rusia është me mjaft ndikim, kuptohet në nivele të ndryshme.
Dr. Jürgen Linden: Ju përmendët Ursula Von der Leyenn dhe propozimet, 4 shtyllat e qasjes së Bashkimit Europian. Ndoshta mund t’i diskutojmë pak, sa larg po shkohet në këtë drejtim, me reforma, çfarë nënkupton reforma, çfarë nënkupton anti-korrupsioni, tregu i përbashkët; duke shkuar tek tregu i përbashkët midis jush, gjashtë vendeve të rajonit dhe Fondit Europian të Investimeve?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, korrupsioni është motoja, fjala kyçe që e dëgjoni përherë kur njerëzit flasin në gjuhë europiane për Shqipërinë apo vendet e Ballkanit Perëndimor, por dua të sigurohem që të kuptoni pikëpamjen time se të luftosh korrupsionin, në fakt, është të ndërtosh shtetin, të modernizohesh, është institucionet, është në fakt të krijosh sisteme, të cilat e bëjnë të pamundur që korrupsioni të ndërhyjë në jetën e përditshme të njerëzve.
Unë përmend gjithmonë një shembull me ambasadën gjermane në Tiranë. Disa kohë më parë, në Shqipëri ishte problem vendosja e rripit të sigurimit në drejtimin e automjetit, duke qenë se liria mund të vijë brenda një dite, por demokracia ka nevojë për më shumë kohë. Kështu që, shqiptarët pas 50 vitesh kur nuk kishin asnjë pronë private, asnjë automjet privat, asgjë private morën automjetet e para private dhe në fakt, nuk ishin rehat të mbanin rripat e sigurimit, por shqiptarët që vinin në Gjermani dhe jetonin në Gjermani nuk e çonin as nëpër mend që t’i jepnin automjetit pa vënë rripin e sigurimit. Kam parë pjesëtarë të ambasadës gjermane që i japin makinës pa rrip sigurimi në Tiranë, çka nënkupton që nuk ka të bëjë me njerëzit, por ka të bëjë me sistemin, ka të bëjë me institucionet, ka të bëjë me mjedisin ligjor që të jetë mbi gjithçka tjetër. Kjo është beteja.
Korrupsioni lind së bashku me lirinë dhe me të drejtat e njeriut. Tani, për ta shmangur korrupsionin që të bëhet alternativë ndaj gjithçkaje që kërkon duhet të kesh një shtet, duhet të kesh institucione që të japin atë çka kërkon dhe të sigurojnë konkretizimin, materializimin e çdo të drejte që ke në vend, duke ndaluar gjithkënd tjetër që të marrë atë çka nuk është e tyre. Është një proces që unë e them përherë, që bekimi i vendeve si puna jonë është Bashkimi Europian sepse në shumë mënyra pikënisja jonë është shumë më e ngjashme me Irakun, me Afganistanin apo me kë të doni ju. Kështu që, vendet që dolën nga diktatura të çmendura dhe një totalitarizëm mizor dhe ju desh të përballeshin me lirinë dhe ëndërruan të ndërtonin demokracinë, nuk e dinin si ta bënin. Nuk është diçka që ti e bën i vetëm. Ata nuk kanë një Bashkim Europian që t’i ndihmojë që t’u rrëfejë rrugën, që t’i mbështesë, që t’i korrigjojë dhe që t’i luajë edhe mendsh, kurse ne e kemi.
Bashkimi Europian bën për ne gjithçka që kemi nevojë; na jep përvojën e shtetndërtimit, na jep të gjitha mjetet e ndërtimit të institucioneve, na jep korpusin ligjor për ta miratuar dhe na luan mendsh sepse nuk është e lehtë. Është njësoj si të studiosh për një kohë shumë të gjatë dhe më në fund të jesh në gjendje që të diplomohesh nga këto studime dhe të dalësh në jetë me këto dije.
Dr. Jürgen Linden: Këto 4 shtylla a mund të nënkuptojnë se ka një qasje me dy ritme për këto gjashtë vende që do të thotë, në fillim të bëhen pjesë e tregut të përbashkët e pastaj të marrin anëtarësimin e plotë?
Kryeministri Edi Rama: Mendoj që kjo është diçka tanimë sepse përpara nuk kishte asgjë dhe problemi i madh është se ndërkohë që kriza dhe sfida tejet të vështira po na shfaqen, jo me zgjedhje, por sepse ndodhin, ashtu si pandemia apo lufta në Ukrainë, dhe Bashkimi Europian ka instrumentet për të zbutur pasojat mbi vendet e veta anëtare, ne që jemi në mes të Europës nuk i kemi këto instrumenta, kështu që të gjitha këto paketat, të gjitha këto programe të mëdha për të nxitur ekonominë, për të mbështetur tranzicionin e gjelbër, për t’u përballur me pasojat e pandemisë e mbajtën në ekuilibër Bashkimin Europian, ndërkohë që ne nuk mundeshim as të kishim akses të menjëhershëm në vaksina dhe ishim në zemër të Europës. Ne hamë Europë, ne pimë Europë, ne flasin Europë, ne flemë me Europën, ne zgjohemi me Europën prej televizioneve, prej informacioneve, prej asaj e kësaj e ndërkohë jemi si peshku pa ujë kur njerëzit tanë po vdisnin.
Ja pse unë gjithmonë besoj se është koha të mendojmë, jo vetëm për këtë që ju thashë, shyqyr që filloi, por edhe për një status të ri për vendet që janë në proces bisedimesh, që do të ishte statusi i vëzhguesit, pa të drejtë votimi, por me të drejtë pjesëmarrjeje për të qenë në Bruksel, për të qenë pjesë e të gjitha korridoreve, zyrave, e burokracisë për të qenë në Parlamentin Europian pa të drejtë vote, por për të qenë ndërkohë së bashku për të kuptuar sesi funksionojnë gjërat, për të ndërtuar njohuritë, atë ndjenjën e përbashkësisë, ndërkohë që nuk besoj, nga ana tjetër, në nxitimin drejt anëtarësimit të plotë sepse të nxitosh drejt anëtarësimit të plotë, së pari, është diçka që nuk ndodh, por po themi, ja të gjitha shtetet anëtare zgjohen një ditë dhe thonë “Ja t’i marrim këta djemtë brenda”. Kjo do të ishte e keqe për ne sepse na duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë pasi të ndërtosh shtete europiane që funksionojnë mbështetur në sundimin e ligjit, mbështetur në institucione nuk është për të kënaqur Angela Merkel apo Olaf Scholtz apo për t’i bërë qejfin Ursulës apo kujtdo tjetër. Kjo ka të bëjë me interesat tonë dhe me fëmijët tanë, kështu që na duhet t’i bëjmë këto detyra shtëpie. Të nxitosh është njësoj si t’i japësh dikujt patentën pa mbaruar kursin e drejtimit dhe pastaj ta përballësh me rrezikun që të përplaset rrugës.
– Faleminderit shumë që erdhët këtu në këtë rajon.
Kryeministri Edi Rama: Si mund të mos vija?
– Si ish raportues për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës mund të them që Shqipëria është pjesë e Europës dhe jam i lumtur të shoh që, hap pas hapi, ju po vini gjithmonë e më pranë Bashkimit Europian dhe shpresoj që ju do të bëheni anëtarë të gjithë familjes europiane. Kam një pyetje dhe kjo është një pyetje e të rinjve për ju. Konkretisht, është tejet e rëndësishme që t’i mbani të rinjtë në vendin tuaj për të ndërtuar këto institucione, ekonominë tuaj e kështu me radhë. Pjesa perëndimore e Europës tashmë ka mangësi të madhe të personelit, informaticienë, mjekë dhe po kërkojnë të marrin njerëz nga jashtë, nga Senegali e vende të tjera por edhe nga vende europiane si Shqipëria. Për mua, ky është një rrezik i zhvillimit sepse mund të dobësojë pozitën tuaj në gjithë procesin në vend që ta forcojë atë. Cili është mendimi juaj për këtë gjë?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit që më bëtë pyetjen më me kleçkë. Është me kleçkë sepse unë nuk di si të jem diplomatik, unë flas atë që mendoj dhe më duhet të them atë që mendoj. Problemi që unë shoh është se Europa e vjetër, me këtë dua të them Gjermania dhe të gjithë këto vendet e mira dhe të mëdha, po vuajnë nga demografia që është një dënim për të gjithë ata. Gjithmonë e më pak fëmijë, një kërkesë gjithmonë e më në rritje për krah pune, një bela e madhe sesi duhet të merren me migracionin. Kështu që, është shndërruar në luftë për mish të freskët, si të marrin të rinj, pra si të marrin të rinj nga ne që të vijnë këtu, sa më shumë të jetë e mundur.
Nuk është më koha kur shqiptarët apo të tjerë nga Ballkani Perëndimor shiheshin si problem.
Për ta thënë të gjithën si është: ata janë më të preferuarit sepse janë të bardhë, sepse edhe kur janë myslimanë nuk e kanë shumë të vështirë të përshtaten dhe edhe më tepër se kaq qofshin myslimanë a të krishterë nga Ballkani Perëndimor janë mbi të gjitha europianë dhe duan të jenë europianë dhe duan të jenë pjesë e saj. Kështu që vijnë aty. Atëherë, si mundet që vende si Shqipëria apo të Ballkanit Perëndimor të mund ta përballen me këtë, si mund ta ndalim këtë gjë, si mund ta ndalojmë, si mund ta ndryshojmë ritmin. Sigurisht përgjigjja më e lehtë është: “E po luftoni korrupsionin! Duhet të rrisni paga! Duhet të bëni këtë e atë!”
Më fal po si mund ta bëjmë të gjithë këtë dhe t’u themi: Ja ku keni pagat. Je infermiere? Ja, ku e ke rrogën, më mirë se në Gjermani. Je mjek? Ja, ku e ke rrogën, më mirë sesa në Gjermani.
A je një informaticien? Ja, ku e ke pagën, më mirë sesa të shkosh të punosh për kompanitë e mëdha në Gjermani apo diku tjetër. Është e pamundur, është thjeshtë e pamundur. Kush mendon ndryshe, nuk mendon si duhet. Ky është një problem i madh dhe ne po përpiqemi të përballemi me të, kemi bërë shumë përparim, kemi shkuar nga një pagë mesatare në sektorin publik rreth 450 euro, në 900 euro në qershor. Pagat në sektorin privat po rriten shumë shpejt, për shkak edhe të turizmit dhe të kërkesës për krah pune, por është sërish një problem mjaft i madh dhe është një problem që Gjermania apo edhe perëndimi nuk do ta zgjidhin duke marrë shqiptarët. Është shumë më e madhe sesa kaq. Në qoftë se Gjermania do të dojë të vazhdojë të jetë Gjermani në 2030 do t’i duhen edhe shtatë milionë krah i ri pune nga demografia e vet 7 milion ose do t’i gjej ose nuk do të jetë Gjermani në nivelin e ekonomisë së saj e të jetesës së saj. Si zgjidhet kjo? Si lidhet kjo me të gjitha muret e gjithçka tjetër? Nuk e di.
-Unë vij nga Kroacia dhe kam një pyetje që lidhet me mendësinë e stigmën ballkanike, sepse shpesh dhe ju e thatë vetë sa më shumë flet për Shqipërinë, për Ballkanin, për historinë komplekse apo për situatën aktuale, aq më pak njerëz dëgjojnë dhe në të njëjtën kohë, mjaft shpesh Ballkani nënkupton zakonisht diçka negative. Sa ndikon kjo, mendoni, anëtarësimin tuaj e të vendeve tjera, sepse shpesh, me aq sa di unë, njerëzit neglizhojnë të shohin gjëra pozitive. Për shembull, larminë fetare dhe paqen midis besimeve të ndryshmeve fetare.
Kryeministri Edi Rama: Pikë së pari, gjermanët na kanë një borxh të madh, sepse emri Ballkan është vendosur nga një gjerman jo fort i mençur, i cili vizitoi rajonin tonë dhe duke parë male gjatë gjithë kohës pyeste ku jemi dhe turku që e shoqëronte i thoshte: Ballkan, Ballkan, Ballkan, që në fakt do të thotë male, male, male, dhe ai vuri emrin Ballkan. Kështu që kur të dëgjojnë për Ballkanin dhe të mos ndihen mirë gjermanët duhet të thonë, Po, ne e bëmë të parët.
Së dyti. Po, është një histori e ndërlikuar, por unë jam shumë optimist, sepse nuk është më siç ka qenë është shumë më ndryshe, në qoftë se flasim për Shqipërinë sot, unë jam i befasuar sepse qysh vitin e kaluar Shqipëria gjendet në shtypin gjerman për gjitha arsyet më të mira. “Vendi i mrekullueshëm për turizëm, ejani në Shqipëri” dhe gjermanët gjithmonë e më shumë po e kuptojnë se nuk kanë qenë shumë të ndërgjegjësuar se Shqipëria është në fakt vend i mrekullueshëm dhe një vend ku duhet shkuar dhe jo vetëm Shqipëria por edhe vendet e tjera natyrisht, ne kemi një histori të ndërlikuar, siç e thashë, dhe na duhet atë çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar gjërat dhe po i ndryshojmë ato dhe do të kërkojë kohë, por së paku nuk shoh më. Ndoshta e kam gabim, por nuk shoh më që stigma të jetë problem për ne, as në Gjermani, as në Holandë, falë Fejnordit që erdhi të luante finale në Tiranë dhe solli me vete mijëra e mijëra turistë holandezë. Aty e kuptuan që ky nuk ishte vend kur rrezikonin të vriteshin, të rrëmbeheshin, të përdhunoheshin a të vidheshin, por ishte një vend ku mund të argëtoheshin, a të bënin argëtimin që donin dhe kishim kaq shumë holandezë të dehur në Tiranë, e që në fakt dhe shumë prej tyre urinonin nëpër parqe dhe nuk ishte mirë për ne, por ishte parajsë për ta. Kështu që, tani jemi shndërruar në destinacion për holandezët, ja që kështu funksionon. Duhet të kalojmë edhe përmes këtyre gjërave.
-Kemi një pyetje të fundit, sepse jemi përtej kohës që përcakton protokolli e na duhet të përfundojmë
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, kur fton dikë nga Ballkani, harroje protokollin gjerman.
-Mirë. Të paktën për pjesë e protokollit.
– I dashur kryeministër! Një pjesë e të qenit politikan e juaja është edhe që keni qenë sportist dhe jeni i interesuar për kulturën. A mund të na thoni se cila është situata e personave me aftësi të kufizuara në vendin tuaj dhe në BE? Po pyes nga këndvështrimi i një personi i cili është me sindromën Down. Faleminderit shumë!
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe shumë respekte për ju! Tani kam qenë njëherë e një kohë sportist, tashmë vesh vetëm këpucë sporti, por kaq. Kam luajtur basketboll në kombëtare dhe loja ime e parë, ndeshja ime e parë ishte në Gjermani, por shumë shumë kohë më parë. Shumë kohë më parë, në 1984. Sa u takon personave me aftësi të kufizuara, është afërmendsh që vendet që janë më pak të zhvilluara se ky vend këtu, që është një model për të gjithë ne dhe shpresoj të mbetet i tillë model edhe pse po kalon kohë ca të vështira. Nuk është e lehtë, por ne kemi bërë shumë deri më tani dhe po vazhdojmë. Për shembull, një gjë për të cilën jam krenar është se fëmijët me aftësi të kufizuara kur shkojnë në shkollë, sot në Shqipëri kanë një mësues ndihmës që i shoqëron gjatë tërë kohës në klasë dhe kujdeset për ta, po kështu përpiqemi të ndihmojmë familjet, përpiqemi të ndihmojmë sidomos nënat e vetme, kur kanë fëmijë me aftësi të kufizuara. Sigurisht, na duhet të bëjmë shumë më tepër. Kemi një institut që është i jashtëzakonshëm falë një njeriu i cili nuk shikon. Ai është drejtor i Institutit dhe ka bërë diçka absolutisht të jashtëzakonshme për fëmijët që nuk shikojnë e nuk dëgjojnë. Eshtë gjithmonë përulëse kur përgjigjesh për këto gjëra sepse kurrë nuk mund të jetë mjaftueshëm, por besoj që është e rëndësishme që e kemi shumë këtë ndjeshmëri dhe përpiqemi të bëjmë sa më shumë të mundemi.
– Faleminderit shumë për fjalët tuaja. Ishte me mjaft interes të dëgjoje motivimin tuaj për ndërtimin e shtetit, për ndërtimin e institucioneve. Duke qenë se punoj me ekonominë në Gjermani dhe në Evropë, çfarë do të bëni edhe për ndërtimin e infrastrukturës në vendin tuaj? Cila është ajo gjë për të cilën Shqipëria do të jetë krenare për 10 vjet? Cila është ajo pjesë e lojës evropiane? Ju thatë që ne jemi një burim i madh dije për ju, por ju faktikisht, çfarë doni të sillni në tryezë?
Kryeministri Edi Rama: Ne jemi burim argëtimi për ju, sepse ju duhet ca argëtim dhe sigurisht të fusësh njerëz nga Ballkani në familjen tuaj, do ta bëjë familjen më me gaz e hare e më pak depresive. Jam i sigurt për këtë, sepse ju mendoni shumë çka është diçka e mirë, por ndonjëherë besoj se nuk e kuptoni sa e jashtëzakonshme është ajo çfarë keni, nuk e kuptoni ndonjëherë që të gjithë të tjerët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo, edhe në BE, ju jeni në një pozitë shumë më të mirë sesa të tjerët.
E kuptoj se është shumë e vështirë për dikë që është mësuar të pijë shampanjë përditë, të përballet me trysninë që nuk e ka përditë shampanjën.
Ndërkohë që është shumë e lehtë që të merresh me dikë që është mësuar të hajë bukë e djathte një ditë dhe një ditë i duhet të mos hajë bukë. Thënë kjo sidoqoftë, besoj se Shqipëria është në rrugë të mbarë. Më e keqja ka ikur, e kemi lënë pas. Tashmë po rritemi. Kemi një turizëm që po rritet dhe mund t’ju them që mbështetur në të dhënat e fundit të Agjencisë së Trafikut Ajror, Shqipëria ka rritjen më të shpejtë në aeroporte në mbarë Europën. Jemi rritur me 220 e ca % në mars, ndërkohë që Gjermani, nuk e di, kishte -12% më duket krahasuar me marsin e periudhës para pandemisë.
Kështu që jemi një vend i bekuar me shumë burime ujore, të dytët në Europë për pasurinë ujore pas Norvegjisë, kështu që ne kemi energji 100% të ripërtëritshme, por energjia jonë është kryesisht e bazuar në burime hidrike, ndërkohë që tashmë po përpiqemi të diversifikojmë. Plani ynë i mbështetur në programe reale investimesh është që në 2029 të jemi eksportues neto të energjisë. Të mos varemi pra nga askush, por vetëm të eksportojmë energji.
Po përpiqemi ta shtyjmë përpara sektorin informatik, ndërkohë që gjithmonë e më shumë kompani po i hedhin sytë për nga Shqipëria, por një gjë për të cilën jam krenar është që jemi bërë një qendër arkitekturore. Kemi arkitektë e shkëlqyer që po punojnë me ne, kemi rreth shtatë fitues të çmimit “Pritzker” që po zhvillojnë projekte në Shqipëri dhe Tirana është një qytet, që të gjithë duhet ta vizitoni. Nuk po bëj reklamë për Ministrinë e Turizimit, por jua thashë edhe më parë, duhet ta vizitoni Tiranën, sepse kurrë nuk do të pendoheni. Do të jetë një surprizë e bukur. Ne kemi një ushqim më të mirë sesa në Gjermani, kjo s’ka aspak dyshim. Që të hash mirë në Gjermani, duhet të shkosh në një restorant të mirë, ndërkohë që për të ngrënë mirë në Shqipëri, mjafton të ndalosh kudo dhe mundesh.
Jemi shumë mikpritës, vazhdojmë të besojmë në përqafimin dhe puthjen e miqve, kështu që nëse ju ka marrë malli për puthje e përqafime, ejani në Shqipëri dhe do t’i keni me bollëk.
-Kryeministër, faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni! Shoh një zotëri hebre këtu në këtë sallë dhe dua t’ju them diçka. Mikpritja nuk është shaka për ne. Mikpritja për ne është fe. Ne jemi myslimanë, jemi katolikë, jemi ortodoksë. Unë jam katolik, bashkëshortja ime është myslimane, dy fëmijët nga sipërmarrjet e përbashkëta të mëparshme janë ortodoksë. I vogli mund të vendosë të jetë me besimin hebre, por feja jonë, mbi të gjitha fetë, është mikpritja.
Në kodin e parë të shkruar të Shqipërisë, fjalia më e rëndësishme është “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, po jo thjesht e atij që ti fton si mik, por e kujtdo që të troket në derë. dhe kjo e ka bërë Shqipërinë të vetmin vend në Europë që numëronte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj, sepse ndërkohë që hebrenjtë largoheshin nga vende të tjera, vinin në Shqipëri për t’u mbrojtur nga shqiptarët. Në bazë të këtij rregulli mikpritjeje, kur bie dera, është vullnet i Zotit, duhet ta hapësh dhe edhe nëse pas asaj dere është armiku, nuk e qëllon dot, duhet ta mirëpresësh në shtëpi dhe nuk mund ta prekësh për aq kohë sa është brenda perimetrit të pronës tënde dhe në fakt, në Kanun një nga krimet më të rënda është të tradhtosh mikun. Miku nuk mund të tradhtohet, në të kundërt je i mallkuar dhe përjashtohesh nga të gjitha aktivitetet shoqërore dhe ke vetëm një detyrim që duhet të përmbushësh, në qoftë se nuk do të të shembet shtëpia. Duhet të marrë pjesë në çdo funeral. Një anëtar i familjes duhet të marrë pjesë në çdo funeral të të tjerëve, sepse pas funeralit, pihet kafe dhe kur ky person shkon të pijë kafenë dhe thotë “më vjen keq për humbjen tuaj”, kafja ju shërbehet në dysheme. Pra, ai është i dënuar që gjithkush të shohë që ai që tradhton mikun është i tillë. Ja pse kisha katolike e Shqipërisë ishte një shembull shumë i veçantë mes kishave katolike përkundrejt hebrenjve, sepse kisha katolike e Shqipërisë u angazhua që të bënte pagëzime të rreme, dokumente të rreme për të mbrojtur hebrenjtë dhe në fund asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Shqipëria është një vend mes të drejtëve. Ka patur vetëm dy persona të deportuar në Aushvic dhe nuk ishin hebrenj, sepse kur nazistët shkuan në shtëpinë e një familjeje shqiptare dhe ata kërkuan dy hebrenjtë që fshihen aty, burri i shtëpisë tha: “Po i kam fshehur dhe do t’jua dorëzoj, por të lutem mos hyni dhe mos e çnderoni shtëpinë tonë” dhe ju dorëzoi dy djemtë e vetë. Ata ishin dy shqiptarë që u çuan në Aushvic sepse nazistët besonin se ishin hebrenjtë që po kërkonin.
-Faleminderit shumë! Presim me padurim fjalën tuaj nesër, gjatë ceremonisë së çmimit ndërkombëtar “Charlemagne”. Për momentin dua t’ju falënderoj edhe një herë e t’ju uroj më të mirën për anëtarësimin tuaj në Bashkimin Europian, urimet më të mira për punën tuaj, për vendin tuaj. Jemi të gjithë të bindur se Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit së paku i përkasin familjes europiane. Në këtë kuptim, faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit, faleminderit shumë! Unë kam vetëm një dëshirë, uroj të mos ketë qenë e mërzitshme!
– Jo, aspak!
Top Channel