![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/Hoxha_sd-800x450.jpg)
Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News, foli për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër ku 39 vjeçarja Alma Arrazi së bashku me 3 fëmijët e saj u vetëmbyt në lumin e Bunës.
Teksa foli mbi arsyet që mund ta kenë shtyrë 39 vjeçaren të ndërmerrte një akt të tillë, Lala tha se faji fillimisht është i shoqërisë sepse nuk kanë kuptuar thirrjet për ndihmë të bëra nga Alma Arrazi.
“Nuk dua të gjykoj viktimën sepse nuk kemi qenë në asnjë moment poshtë lëkurës së saj. Nuk i dimë rrethanat që e kanë çuar një grua në një akt aq tragjik. Ne si shoqëri jemi të gjithë fajtorë sepse ajo grua ka bërtitur për ndihmë dhe ne nuk e kemi parë. Familja nuk e ka parë se çfarë mund ta kishte shqetësuar”- tha Lala.
Më tej gazetarja shtoi se duke ndërmarrë një akt kaq tragjik, e ndjera duket sikur ka dashur të ndëshkojë bashkëshortin për tradhëtinë e tij.
“Fakti që kjo grua ndërmori një akt kaq tragjik, ajo që ne duhet të bëjmë është të ndërgjegjësojmë ato vajza dhe gra duke u thënë se nuk është kjo zgjidhja. Duket sikur është përpjekur të ndëshkojë bashkëshortin e saj. Duket një grua e lënduar për shkak të tradhëtisë por kjo nuk është arsye për të ndërmarrë një akt kaq ekstrem. Nuk është zgjidhje vetëvrasja.
Fëmijët kanë ndjekur në instiktin e tyre nënën që e kanë simbol të mbrojtjes. Duke u përpjekur ta shfajësojmë tërësisht 39 vjeçaren, ne po i bëjmë një dëm shoqërisë. Ne duhet t’u bëjmë thirrje vajzave dhe grave që nuk mund të zgjedhin këtë rrugë të shkurtër sepse kjo lë gjurmë të traumave tek njerëzit e tjerë”- shtoi gazetarja.
Top Channel