Ambasadori Gonzato: Standartet, shteti ligjor dhe lufta ndaj korrupsionit janë thelbësore për hyrjen e Shqipërisë në BE

08/05/2024 19:00

Drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadori Silvio Gonzato, deklaroi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, krahas plotësimit të standarteve sa i takon forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Ai i bëri këto komente në një forum me studiues dhe diplomatë, mbi hyrjen e Shqipërisë në BE dhe pritshmëritë në ecurinë e këtij procesi.

“Është e qartë se gjithçka lidhet me shtetin ligjor. Gjithçka ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Gjithçka lidhet me forcimin e demokracisë dhe luftimin e krimit të organizuar. Këto janë kyçi për ecjen e Shqipërisë drejt BE-së”, tha ambasadori Gonzato.

Ai theksoi se BE-ja dhe SHBA-të janë aktorë me rëndësi, që po ndihmojnë të luftohet korrupsioni.

BE-ja, tha ai, nuk ka të bëjë vetëm me ekonomi, por së pari mbështetet mbi vlera; demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat njerëzore, diversiteti dhe barazia.

Ambasadori Gonzato tha se vendimet merren në Bruksel, por përparimi drejt BE-së varet nga përkushtimi i Shqipërisë për të përshtatur dhe zbatuar reformat sipas kapitujve të ndryshëm, që e sjellin atë tek standartet europiane, që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit, shmangien e kapjes së shtetit, me lirinë e shtypit,

“Shqipëria dhe shqiptarët kanë si objektiv të qartë anëtarësimin në BE, ndaj standartet janë për t’u përmbushur dhe parametrat janë të qarta”, theksoi ai.

Ambasadori Gonzato tha se ky proces kërkon kohë, sepse është një proces kompleks, që krahas miratimit të ligjeve, nevojitet ndryshimi i mënyrës së funksionimit të institucioneve, forcimi i këtyre institucioneve, forcimi i shoqërisë civile dhe pjesëve të tjera të shtetit.

“Kjo është arsyeja pse ne bëmë një thirrje tjetër nga Tirana, e cila ka të bëjë me rritjen e konvergjencës ekonomike dhe sociale. Ne e kuptuam se ritmi nuk ishte mjaftueshëm i shpejtë, kështu që objektivi për zgjerim në vitin 2030 nuk do të jetë i arritshëm, për sa i përket aftësisë së Shqipërisë për të mbështetur njohuritë e konkurrencës në BE”, tha zoti Gonzato.

Prandaj BE-ja, shtoi ai, doli me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, mbështetur nga 6 miliardë euro, i cili është rruga e përshpejtimit të reformave të BE-së, me një elemenet të ri dhe të rëndësishëm, si dhënia e disa prej përfitimeve të anëtarësimit përpara datës që Shqipëria dhe vendet e tjerë do të bashkohen në BE.

“Gjithnjë e më shumë flitet për afrimin gradual si para anëtarësimit ashtu edhe pas anëtarësimit, duke siguruar kështu një periudhë përshtatjeje me BE-në”, tha ai.

Shtyllat kryesore të Planit të Rritjes janë qasja në tregun e përbashkët, promovimi i tregut të përbashkët rajonal për të ecur së bashku në disa aspekte për integrimin rajonal.

“Vendet e këtij rajoni janë të vogla në aspektin ekonomik dhe atë të popullsisë. Një integrim rajonal e bën këtë rajon më tërheqës edhe për investimet e huaja. E ashtuquajtura agjenda e reformës ka një numër angazhimesh prej qeverisë së Shqipërisë, të cilat ende mbeten për t’u përmbyllur, për të adresuar disa reforma themelore të cilat janë kyçe për të nxitur këtë lloj konvergjence, për të nxitur rritjen që Shqipëria dëshiron të arrijë”, theksoi ambasadori Gonzato.

Ai shtoi si një nga pikat më të forta të këtij partneriteti faktin se politika e jashtme e Shqipërisë është në përputhje me qëndrimet e Bashkimit Europian, po ashtu edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA