“Po bëhet një përpjekje për të helmuar publikun”/ Mbledhja e jashtëzakonshme, Rama ironizon Berishën dhe Metën: Bërtasin foltoreve dhe penxhereve

07/05/2024 10:13

Kryeministri Edi Rama në nisje të mbledhjes së jashtëzakonshme me kabinetin e tij, ka ironizuar Ilir Metën dhe Sali Berishën duke thënë se dalin e bërtasin në foltore apo në dritare.

Rama u shpreh se në këtë mbledhje do të flitet për të vërteta, teksa shtoi se po bëhet një përpjekje për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes tyre dhe shumicës shqiptare që i ka votuar.

“Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar dëshiroj vëmendjen e atyre që më kanë dhe na kanë votuar që prej vitit 2013, kur morëm detyrën të merrnim Shqipërinë e vonuar, nga disa që bërtasin foltoreve apo penxhereve.

Bëhet një përpjekje për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës shqiptare që na kanë votuar dhe besuar pa kursim në gjithë këto vite.

Sot nuk do ndalem te gjysmë të vërtetat, që e kanë thënë njerëz shumë më të mençur se unë, as të shpifjet e rreme. Sot do flasim vetëm për të vërtetat, për ligjet dhe korrupsionin”, tha ai.

“Dikur kreu i tatimeve drejtonte nga kuzhina, në arrest shtëpie për krime, dhe kryeministri bëhej mburoja  e tij kundër drejtësisë.

Dikur kapej burri i botës me qindra mijëra presh në dorë me zë e figure, dhe e bënë popullin budalla duke thënë që ‘ishte ai, por nuk ishte ai’. Këto nuk janë në 1913, as 1193, janë ‘dikure’ të deri 10 vjetëve më parë.

Ndërkohë që personazhet dhe partitë e kohës së këtyre ‘dikureve’ janë sot gjithë ditën, sa në majë të pallatit, sa në majë të skelave prej hekuri, duke lëshuar thirrje histerike kundër korrupsionit dhe kundër SPAK.

Por sot nuk është më si dikur. Çdo kush para ligjit është si gjithë të tjerët.

Më e rëndësishmja, kush thotë se e kontrolloj unë SPAK, unë në politikë kam hyrë për të kthyer përmbys çfarë mundem, e tregon historia ime politike. Në çdo drejtim, ku të mundem. Merr e kthe përmbys.

Nuk kam hyrë për të qenë një hu i gjatë, në radhën e atyre që në rastin më të mirë ikin e nuk lënë gjurmë, ndërsa në rastin më të keq i shikoni i keni live e janë për të ardhur keq. E çfarë më duhet mua kontrolli i SPAK? Që disa prej nesh të flenë rehat? Kur ishin ata në pozicionin tonë shkelnin me këmbë këdo, fusnin dorë kudo, dhe ja ku janë sot”, tha më tej Rama.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA