Mbledhja e grupit të PS dhe oferta për opozitën, Basha: Qesharake! 200 politikanë kryesorë të vendit të kalojnë procesin e vetingut

07/05/2024 12:30

Kreu i PD Lulzim Basha Rezolutën e PS anti-korrupsion, Lulzim Basha e ka quajtur barsaletë dhe përpjekje për të mbuluar të vërtetën, fjalimin e kreut të qeverisë Edi Rama.

Pas ftesës që Rama i bëri opozitës, Basha tha se mazhoranca duhet të votojë propozimet e tij për vetting politikës, heqjen e imuniteteve dhe amendamentet e PD për SPAK.

“Dy orët që sapo u përmbyllën shënojnë fjalimin më të gjatë të një drejtuesi të vendit që në kohët e diktaturës. Dy orë për të justifikuar gjendjen e qeverisjes. Dy orë për t’i mbushur mendjen shqiptarëve, se pas 11 vite qeverisje ekonomia e tyre, kostoja e jetesës, shanset për punësim të rinisë, rrogat e ulëta, gjendja e mjerueshme e shëndetësisë së premtuar falas dhe përgjysmimi i vendit në këto 11 vite, nuk janë përgjegjësi as e Edi Ramës, as qeverisë së tij. Dy orë për t’i mbushur mendjen vetes dhe atyre që e rrethonin se rradha e gjatë e bashkëpunëtorëve që ndodhen sot në qelitë e SPAK-ut, në kërkim ndërkombëtar për korrupsion apo nën hetim për vjedhjet qindra milionë euroshe, nuk janë përgjegjësi as e kryeministrit, as e qeverisë. Fjalim i denjë për një mision ndërkombëtar si ato të OKB, që me helmeta blu dhe me administratë ndërkombëtare zbarkojnë për herë të parë në një vend të gërryer as nga lufta, as nga përplasja civile, por nga korrupsioni sipas raporteve të vet BE dhe SHBA, më i kudogjendur, më i përhapur, më galopant që Shqipëria dhe në fakt ballkani ka njohur.

E pra, për këtë Edi Rama nuk i njeh vetes së tij asnjë përgjegjësi, as politike dhe as ligjore. 2 orë fjalë pa fund, për të shpjeguar sikur të ishte dy orëshi i parë i qeverisjes së tij dhe jo fundi, muzgu i 3 mandateve se pse fajin për korrupsioni nuk e ka Edi Rama, nuk e ka qeveria, por e ka sistemi.

Dhe për të premtuar sërish njësoj si para 12 vitesh, një sistem tjetër, një sistem i cili do të luftojë korrupsionin dhe do të mundësojë kaq e kaq të mira për shqiptarët dhe për Shqipërinë.

Por në fakt e vërteta është ndryshe, është e thjesht, është e dhimbshme dhe dihet mirë nga çdo shqiptarë. Dihet padiskutim nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, që e ndjejnë nën lëkurën e tyre faturën e rënduar të korrupsionit qeveritar, kur bëhet fjalë për koston e jetës, ku bëhet fjalë për nivelin e pagave, bëhet fjalë për nivelin e mjerueshëm të pensioneve, ku bëhet fjalë për mungesën totale të mbështetjes për fermerin, ku bëhet fjalë për rënien në kolaps të sistemit arsimor dhe atij arsimor, ku bëhet fjalë për mirëqenien e munguar të premtuar, por kurrë të realizuar, ku bëhet fjalë për vrasjen sistematike të shpresës që ka shtyrë gjysmën e Shqipërisë jashtë kufijve të saj në këto 11 vite të qeverisjes së Edi Ramës dhe ministrave e kryebashkiakëve të tij”, tha ai ndër të tjera.

 

Top Channel