Marrëveshje si ajo e Shqipërisë, Holanda thirrje BE-së për qendra emigrantësh në vendet jo-anëtare

07/05/2024 15:20

Holanda dhe disa vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian janë duke punuar për një letër që e nxit Komisionin Europian të organizojë strehim për azilkërkuesit në vendet jo-anëtare të BE-së.

Pretendimi i tyre është që azilkërkuesit të gjurmohen teksa tentojnë mbërritjen në Europë dhe të qëndrojnë në vende jashtë unionit në pritje të vendimit për aplikimin e tyre. Azilkërkuesit që i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike do të kenë mundësinë edhe të streohen në vendet në fjalë, thonë raportet në mediat e huaja, çka nënkupton se ata as nuk do të arrijnë të shkelin në tokën e shteteve anëtare.

Plani është inicjuar nga Republika Çeke dhe Danimarka, ndërsa ideja është e ngjashme me atë të marrëveshjes që Italia vulosi me Shqipërinë në muajin nëntor, sipas të cilës, një pjesë e azilërkuesve të shpëtuar në det do të strehohen në territorin shqiptar me shpenzimet e Romës zyrtare, ndërsa autoritetet italiane përpunojnë kërkesat e tyre për azil.

Letra përmend gjithashtu si shembull marrëveshjen e azilit të Turqisë, e zbatuar kur Holanda kishte kryesimin e radhës së BE-së, e cila diktonte që personat të cilët kalonin nga Turqia në Greqi në mënyrë të parregullt do të ktheheshin përsëri në Turqi nëse nuk aplikonin për azil në Greqi.

Muajin që shkoi tre organizata ndihmash e paditën shtetin holandez për ujdinë me Ankaranë, duke e konsideruar Holandën përgjegjëse për shkeljen e ligjit holandez, ndërkombëtar dhe të BE-së dhe për kushtet çnjerëzore në ishujt grekë. Nuk është e qartë se me cilat vende jo anëtare të BE-së, Holanda dhe vendet e tjera anëtare të BE-së duan që Komisioni Europian t’i bëjë këto marrëveshje.

“Kjo është arsyeja pse unë jam në favor të vendeve që kërkojnë zgjidhje, siç janë marrëveshjet që Italia bëri me Shqipërinë”, tha Sekretari i Shtetit Eric van der Burg. Ai shtoi se këto zgjidhje duhet “në çdo kohë” të jenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA