Bashkia e Tiranës do të vendosë monumentin e Heroit tonë Kombëtar në sheshin “Skënderbej” në Paris/ Veliaj: Bëjmë realitet ëndrrën e shumë shqiptarëve

04/05/2024 15:21
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në nisje të vizitës së tij dy ditore në Paris, takoi homologen e tij, kryetaren e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo.

Veliaj vlerësoi punën e bërë nga kryetarja e Bashkisë Hidalgo për mbarëvajtjen e Lojrave Olimpike, të cilat këtë vit do të zhvillohen në Paris. Përgjatë takimit me kryetaren Hidalgo, kryebashkiaku Veliaj gjeti rastin të ndajë edhe lajmin e mirë të restaurimit të sheshit “Skënderbej” në kryeqytetin francez, si një shenjë e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes dy popujve tanë, në momentin kur Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Evropian.

“Parisi është gati për Lojrat Olimpike dhe kryetarja Anne Hidalgo ka bërë një punë fantastike për të pritur gjithë skuadrën. Sigurisht, skuadra e Shqipërisë është ndër skuadrat e para sepse edhe alfabetikisht hap Lojrat Olimpike. Mezi presim që në këtë bashkëpunim mes Parisit dhe Tiranës, edhe skuadra jonë Olimpike të shkëlqejë. Lajmi më i mirë është që kemi një shesh “Skënderbej” në Paris dhe më në fund, sheshi është restauruar tortalisht. Jemi gati për të pasur një monument të Skënderbeut në Paris, që ka qenë një ëndërr e shumë shqiptarëve dhe një lidhje e fortë mes popujve tanë. Kur Evropën e ëndërronim, kur në Evropë ishim dhe tani që në Evropë po integrohemi, statuja e Skënderbeut në Paris është një ndër lajmet më të mira që kemi marrë nga kjo vizitë”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo u shpreh entuziaste për takimin me kryebashkiakun Veliaj, duke theksuar se është i mirëpritur në çdo kohë në kryeqytetin francez.

Vizita e kreut të Bashkisë, Erion Veliaj në Paris zhvillohet në vazhdën e forcimit të bashkëpunimit mes dy kryeqyteteve dhe raportit të veçantë me Bashkinë e Parisit.

Në shkurt të këtij viti, Veliaj priti në Tiranë nënkryetaren e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian, së cilës i dhuroi në mënyrë simbolike “Sahatin e Tiranës” dhe bisedoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve. Një tjetër tregues i ldhjeve të ndërsjellta mes dy vendeve ishte edhe nënshkrimi para disa ditësh i një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën dixhitale dhe inovacionit me ambasadën franceze, që sipas kryebashkiakut Veliaj do të sjellë një frymë dhe energji të re sa i përket bashkëpunimit mes Tiranës dhe Parisit.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA