Deputeti socialist Petro Koçi në një lidhje për “Breaking” në Top News shpjegoi se përse propozoi nismën që personat të cilët përdhosin simbolet kombëtare të mos kandidojnë apo të mos emërohen në funksione publike.
Koçi tha se ky propozim erdhi nga rasti “Beleri”, sepse ai po kandidonte kur pretendohej se ishte dënuar për poshtërim dhe përdhosje të simboleve të republikës.
“Pavarësisht se është një rast që thuajse është mbyllur, sepse ankimimet që janë bërë në Gjykatën e Lartë kanë marrë përgjigje negative për të bërë betimin. Publiku ngarkonte institucionet që kishin bërë të mundur, sipas tyre, që Beleri të kandidonte, kur ndërkohe pretendohej se ishte dënuar për përdhosje dhe poshtërim të simboleve të republikës”, tha deputeti.
Sipas tij, dikush që poshtëron Rebublikën e vendit, nuk mund të ushtrojë një detyrë në Kuvend, njësoj siç nuk lejohen as ata që janë të përfshirë në një krim seksual, pasi ky institucion është i denjë, thotë deputeti.
“Në ligjin e dekriminalizimit, mungonte neni që përfshihen personat që poshtërojnë simbolet e republikës së shtetit dhe neni për raste të personave të përfshirë në organizata politike të paligjshme që rrezikojnë integritetin kushtetues të vendit. Ndërkohë për një krim seksual dikush ndalohet të kandidojë, sepse Kuvendi është një institucion i denjë, por të mos ndalosh persona që poshtërojnë republikën, është e papranueshme. Si munden dikush që poshtëron republikën të pretendojë se do mbrojë shtetin”, tha Koçi.
Top Channel