Balla prezanton në Komisionin e Ligjeve 6 risitë e propozimeve ligjore për sistemin e adresave dhe Gjendjen Civile: Masa shtesë për mosdeklarimin e vendbanimit

03/05/2024 14:01

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në Komisionin e Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dha detaje për projektligjin Për sistemin e adresave dhe Gjendjen Civile.

Balla: E nderuar kryetare, të nderuar anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Jam përsëri përpara komisionit tashmë për një ligj tjetër, po aq i rëndësishëm, nevoja për ndryshimin e të cilit, vjen në kuadër të një proces transformimi digjital, i cili ka filluar prej kohësh dhe të gjithë aktorët publike apo private që punojnë fuqimisht për ndryshimin e mendësisë qytetare për këtë formë të re komunikimi. Rezolucioni digjital, i shërbimeve dhe i administratës publike, ka filluar që në vitin 2014 dhe kjo ka sjellë edhe ndryshimin e një perceptimi të qytetarëve për komunikimin elektronik në institucionet shtetërore. Në këto 2 vite shërbimi i gjendjes civile ka kaluar në 80% të volumit të shërbimeve online, duke arritur që të kemi rreth 11.5 milion certifikate elektronike, nëse do ta kalkuloja në vlerë monetare do të thosha se për shkak të këtij niveli digjitalizimi kemi 13 milion euro kursim, falë shërbimit falas, e këtu nuk futen miliona orë të kursyera për qytetarët, për të shkuar e për të marrë certifikatën, e shpenzime të tjera financiare. Ky shërbim ofrohet në telefona apo kompjuter.

Sa i përket kuadrit programativ, ndryshimet që kemi sjellë janë pjesë e agjendës digjitale të Shqipërisë, por edhe Planit tonë të Veprimit 2022 – 2026, në të cilin kemi përcaktuar si qeveri, për të punuar në disa drejtime kryesore duke vendosur objektiva të matshme. Së pari të nxisim investime të informatikës së avancuar, por edhe përpunimit të të dhënave, të inteligjencës artificiale, të sigurisë kibernetike dhe të aftësisë së përparuara digjitale të nevojshme për t’i zhvilluar këto kapacitete; të shërbejë si katalizator për të koordinuar projektet e sektorit publik dhe për modernizimin e aksesit në teknologjinë informatike. Po ashtu, qeveria po aspiron të jetë më e hapur, më fleksibël dhe më interaktive në marrëdhënie me qytetarët, me biznese duke përdour mjetet e teknologjisë së komunikimit, për të rritur efektivitetin, efikasitetin me qëllim përmirësimin në vazhdimësi të shërbimeve.

Nisma jonë është e rëndësishme në parashikimin e sanksioneve përmes kufizimit të marrjes së shërbimit të gjendjes civile, me qëllim nxitjen e deklarimit të vendbanimit, e këtu është dita e duhur, që ka të bëjë me procesin e regjistrimit të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit, një hap i rëndësishëm në këtë drejtim të një dakordësie që asnjë prej nesh nuk besoj ka kundërshtime, që çështja e votës së qytetarëve që jetojnë jashtë territorit, por kjo duhet lidhur me një proces të drejtë, transparent të regjistrimit.
Ju e dini që prej kohës tashmë, kemi gati gjithë infrastrukturën ku çdo qytetar i vendit dhe ata që na ndjekin, përmes portalit e-Albania, kemi një seksion të posaçëm, ku mund të regjistrojnë vendbanimin e qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, përmes një dokumenti shumë të thjeshtë që lidhet me një kontratë qeraje, ku është e shënuar adresa apo kontratë furnizimi uji të pijshëm, energjie, apo vërtetim nga njësia e qeverisjes vendore të vendit ku jeton, në të cilin dëshmohet qartë ku jeton.
Gjithashtu, 6 risitë me propozimet ligjore, sa i përket ligjit për gjendjen civile, së pari duhet të plotësojmë kuadrin ligjor për të mundësuar kalimin e mëtejshëm të shërbimeve të GJC, online, pra është kaluar një pjesë dhe duhet të kalojmë edhe një pjesë tjetër e këtë duhet ta mbështetim me kuadër ligjor.
E dyta ka të bëjë me saktësimin e përkufizimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit me qëllim harmonizimin e tyre edhe sipas Kodit Civil dhe mos harroni edhe atë që kemi sjellë tek ligji për adresat.

E treta, ka të bëjë me një problematike që edhe ju e keni hasur në marrëdhënie me zgjedhësit që ka të bëjë edhe në marrëdhënie me regjistrat edhe në marrëdhënie me të dhënat demografike. Trajtimi i rasteve kur fëmijët lindin të vdekur, me qëllim pasqyrimin e saktë, edhe në regjistra edhe në përllogaritjen demografike.

E katërta ka të bëjë me adresimin e fenomenit të martesave fiktive, që kryesisht i referohen shfrytëzimit të artificës ligjore, të marrjes së mbiemrit të bashkëshortes. Na ndodh shpesh dhe kjo vërehet edhe nga Policia e Shtetit, në rastet e shmangies së vendimeve që lidhen me mos udhëtimin në një vend të caktuar dhe jashtë vendit, ku një qytetar bën një martesë fiktive, merr mbiemrin e bashkëshortes dhe pretendon se ka marr identitet të për t’ju shpëtuar kufizimeve të caktuara. Kështu që në këtë rast me ligjin që kemi sjellë, dhe me miratimin e akteve nënligjore, t’i vendosim fre kësaj forme abuzimi.

Kemi të bëjmë edhe me disa masa shtesë për mosdeklarimin e vendqëndrimit dhe vendbanimit, mos harrojmë se këto janë të dhëna të domosdoshme për qytetarin, ku sipas parimeve të Kodit Civil dhe jo vetëm, qytetari e ka këtë lloj detyrimi për ta deklaruar, pasi përmes saj merr shërbime.

E gjashta, dhe këtu e lidh me problematika që ju e konstatoni kur iu drejtohen qytetarë që jetojnë jashtë territorit, që duhet të marrin një shërbim nga nëpunësit e gjendjes civile, ne ua japim edhe me ligj punonjësve të shërbimeve konsullore të gjithë gamën e shërbimeve. Pra, konsullata në Selanik, mund të ofrojë të gjithë gamën e shërbimeve në gjendjen civile. Kjo është diçka që rrit dhe fuqizon shërbimin ndaj qytetarëve, për t’u ardhur më shumë në ndihmë, një pjesë e madhe e qytetarë që jetojnë jashtë territorit.
Këto janë 6 risitë e këtyre propozimeve ligjore dhe ta rinënvizojmë që kjo paketë e rëndësishme transformimi, qoftë sa i përket ligjit për adresat, qoftë sa i përket ligjit për gjendjen civile, duke shpresuar që të kemi mbështetjen e këtij gjithë anëtarëve të këtij komisioni të nderuar, për t’i kaluar ato në seancë të kuvendit të Shqipërisë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA