Zhupa interpelancë me Manastirliun: Jemi më keq se Palestina dhe Uzbekistani! Ministrja: Shqipëria ‘20-‘30 e garantuar që do të këtë një arsim shumë më cilësor

02/05/2024 13:56

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka thirrur në interpelancë ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në lidhje me masat e marra për t’iu përgjigjur rezultateve për testin e PISA-s.

Nga foltorja e Kuvendit, Zhupa tha se të dhënat e këtij raporti ishin trupëruese për Shqipërinë e cila renditet poshtë Palestinës dhe Uzbekistanit.

“Pas daljes së rezultateve të Pisës, që ishin të dhëna turpëruese. Ky është një raport që zhvesh propagandën dhe dëshmon rrënimin e sistemit parauniversitar në Shqipëri. Shqipëria kishte rënie më të madhe të ndonjë shteti në rajon, krahasuar dhe me veten që në vitin 2009. Ka rënë me 47-68-50 pikë. Ne renditemi më poshtë se Palestina, se Uzbekistani. Kishim rënie më të madhe se të gjitha vendet e tjera. Aftësitë e nxënësve tanë janë kthyer pas në vitin 2000. Është thelluar analfabetizmi. Jemi katandisur në tre fusha kryesore.”, tha Zhupa.

Nga ana tjetër Ministrja e Arsimit tregoi në Kuvend një strategji të re për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri dhe rritjen e performancës në testet ndërkombëtare, si pjesë e përgatitjes për testin PISA 2025.

“Tre janë prioritetet tona absolute për të pasur një arsim cilësor. E para rritja e pagave dhe motivimi i mësuesve. E dyta, modernizimi i kornizës kurrikulare lidhur me aftësisë teknologjike. E treta investimet në infrastrukturën shkollore dhe në digjitalizim, jemi të vendosur për ti realizuar në mënyrë që ëndrrën që shqiptaret kanë për të pasur një arsim më cilësor ta bëjmë sa më shpejtë realitet. Shqipëria ‘20-‘30 është garantuar që do të këtë një arsim shumë më cilësore, i cili i përgjigjet aftësive që kërkon shekulli 21.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manstirliu.

Përsa i përket testimit Ndërkombëtar “Pisa 2025” Ministrja Manastirliu tha se ka nisur zbatimin e një plani afatmesëm veprimi, i cili përfshin një sërë masash kryesore.

Së pari, mësuesit dhe nxënësit janë furnizuar me materiale dhe modele pyetjesh të vlerësimit PISA në fushat kryesore të leximit, matematikës dhe shkencave.

Gjithashtu, janë organizuar trajnime për mësuesit në këto fusha, të cilat kanë përfshirë 1442 mësues në të gjithë vendin. Trajnimet synojnë njohjen me mënyrën e testimit, hartimin e pyetjeve, dhe kodimin e përgjigjeve, duke i bërë mësuesit më të aftë për të udhëhequr nxënësit e tyre. Një tjetër masë ka qenë trajnimi i nxënësve në shkollat e përzgjedhura, duke u ofruar atyre informacione dhe modele testimesh për t’i përgatitur për testin PISA. Pas këtyre trajnimeve, është zhvilluar një test provë në 29 shkolla, me pjesëmarrjen e 588 nxënësve. Testi u zhvillua në 13 ZVAP dhe përfshiu 36 shkolla dhe 2552 nxënës. Ky test u realizua në variantin CBA (vlerësim në kompjuter) dhe përfundoi më 30 prill 2024.

Ministrja theksoi se këto rezultate tregojnë një përmirësim të rëndësishëm në krahasim me testin PISA 2022, veçanërisht në fushat e shkencave dhe leximit. Ajo shprehu optimizëm për një performancë më të mirë në PISA 2025 dhe nënvizoi rëndësinë e kësaj strategjie në afat të gjatë.

 

Top Channel