Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 bashkëshortë mes tyre janë gjendur të pajetë këtë mëngjes brenda banesës së tyre në fshatin Bodrishtë të Dropullit.
Motra e Kleoniqit që banon në Greqi ka telefonuar në mëngjes një komshie të tyre pasi çifti nuk po ju përgjigjej telefonatave. Ajo hyri në banesën e tyre rreth orës 6 të mëngjesit dhe ka konstatuar të pajetë fillimisht Kosta Ilian në hyrje të banesës me një shenjë goditjeje në anën e djathtë të kokës dhe më pas edhe Kleoniqin më në brendësi. Të moshuarit kanë pasur shenja dhune ne trup çka ka çuar fillimisht në dyshime se ata mund të ishin bërë pre e një grabitjeje.
Hetimet paraprake më tej këtë mëngjes nuk kanë konstatuar ndërhyrje të jashtme në banesë dhe as shenja të grabitjes. Pista më bindëse ku janë përqendruar hetimet është ajo e krimit në familje ku besohet se dy të moshuarit janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe janë goditur mes tyre me sende të forta. Megjithatë hetimet vazhdojnë. Ekspertët mjeko-ligjorë nga Tirana janë thirrur dhe priten përfundimet e analizave të ADN-së për të parë nëse ka pasur faktorë të jashtëm që kanë çuar në këtë krim.
Të moshuarit jetonin vetëm në një banesë modeste fshati pasi nuk kishin fëmijë. Të vetmit të interesuar për ta ishin të afërm motra e vëllezër që jetonin në Greqi.
Kosta Ilia ishte kthyer nga Greqia vetëm 5 ditë më parë ku kishte shkuar për të tërhequr pensionin. Thëniet e komshinjve janë disi kontradiktore. Disa prej tyre pohuan se çifti jetonte në paqe dhe të tjerë folën për konflikte të dhunshme mes tyre falë problemeve të shëndetit mendor të Kosta Ilias i cili trajtohej vitet e fundit me medikamente.
Burime nga policia gjithashtu konfirmojnë se kanë gjetur në banesë një shumë parash të pensionit të të moshuarve. Pensionet nga shteti grek ishin të vetmet të ardhura për ta. Grabitjet e moshuarve në këtë zonë të izoluar të vendit nuk kanë qenë situata të pazakonta në të shkuarën. Gjatë dekadës së fundit ka të të paktën 3 raste me pasoja tragjike ku të moshuar kanë humbur jetën në grabitje. Për këtë arsye edhe kjo pistë nuk është përjashtuar nga hetimet për këtë krim.
Top Channel