Modelja e stërvitjes burgoset 11 vjet në Arabinë Saudite me akuza ‘terrori’ në gjyqin sekret (fotot)

02/05/2024 16:18

29-vjeçarja Manahel al-Otaibi raportohet se është burgosur në Arabinë Saudite me akuza ‘terrorizmi’ prej stilit të veshjes së saj dhe mbështetjes për të drjetat e grave, njoftonte grupi britanik i të drejtave ‘Amnesty International’.

Ata shtonin se e reja është burgosur 11 vjet me akuzat e paqarta të “terrorizmit” të cilat në Arabinë Saudite duket se përfshijnë mbrojtjen e të drjetave të grave, shkruan rrjeti britanik Daily Mirror.

Manahel al-Otaibi është burgosur pas një seance sekrete gjyqësore në janar, por vendimi është zbuluar vetëm disa javë më vonë nga autoritetet.

Megjithëse zyrtarët thonë se dënimi nuk ka të bëjë me prezencën e saj në rrjet, aktivistët thonë se masa e ashpër ndaj Manahel al-Otaibi tregon kufijtë e lirisë së shprehjes në Arabinë Saudite.

Kritikët thonë se masa është një fytyrë tjetër e mbretërisë muslimane të drejtuar nga princi i kurorës Mohammed bin Salman, i cili deklaronte se ka liberalizuar shumë aspekte të jetës së grave në vend.

Ata thonë se dënimi ka të bëjë vetëm me prezencën dhe pikëpamjet e shprehura online nga modelja e stërvitjes, e cila ka bërë thirrje në rrjetet sociale për heqjen e sistemit të shoqëruesit mashkull për gratë që dalin vetëm, si dhe ka publikuar veten që bënte pazar pa veshjen tradicionale ‘abaia’, shton Amnesty International me bazë në Londër, duke thënë se ka ndjekur rastin e al-Otaibi prej kohësh.

Al-Otaibi postonte video të vetes duke u stërvitur në rrjetet sociale Instagram, Twitter, e Snapchat, që ishin dhe arsyet e akuzave për “njollosje të mbretërisë dhe zakoneve e traditave të saj”, sipas dokumenteve gjyqësore.

Prej vitit 2018, gratë lejohen të drejtojnë makinën në Arabinë Saudite dhe të tjera kufizime janë hequr ose reduktuar.

Por shumë aktivistë raportohet se janë arrestuar për denoncimin e kufizimeve saudite në rrjetet sociale, përfshi dhe raste ekstreme si Salma al-Shehab, doktoreshë e diplomuar në Britani që po kryen një dënim prej 27 vitesh burg, sipas rrjetit britanik The Mirror.

FOTO GALERI
1/4
Manahel al-Otaibi është burgosur pas një seance sekrete gjyqësore në janar, por vendimi është zbuluar vetëm disa javë më vonë nga autoritetet.

Top Channel