Operacioni “Flakë në det”/ Arrestohen me urdhër të SPAK tre trafikantët pjesë e grupit të Gëzim Çelës, kontrolle në banesa dhe biznese

01/05/2024 10:05

Tre trafikantë pjesë e një grupi kriminal kanë rënë në pranga pas urdhrit të SPAK, pasi tentuan të trafikonin drogë përmes detit në 15 gusht të vitit 2023.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, A. D., S. L. dhe K. B. janë pjesë e grupit të Gëzim Çelës, i njohur si baroni i drogës.

Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe biznese.

Tre personat akuzohen për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

“Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024.

Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregtare”, sipas njoftimit të SPAK.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi të lejë në burg baronin e drogës, Gëzim Çela, pas ekstradimit nga Kosova.

Ai u vu në pranga në muajin dhjetor të vitit të shkuar në Kosovë, ku narkotrafikanti kishte gjetur strehim, ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi të vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.

Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me kokainë.

Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90. Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA