Kryeministri Edi Rama, ka vizituar ditën e sotme Thethin ku u takua me disa prej banorëve të cilët kanë investuar në biznese të ndryshme dhe bujtina për pritjen e turistëve.
Ndërsa vlerësoi potencialet e larta turistike të kësaj zone, kreu i ekzekutivit u bëri thirrje edhe banorëve të zonës të cilët ndodhen në emigrim që të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.
Ndër të tjera, Rama u dha fjalën banorëve që brenda datës 30 qershor, do të kenë në duar certifikatat e pronave të tyre, si pjesë e paketës që ai e quajti “Paketa e Maleve” që do ketë si qëllim kthimin e këtyre zonave në atraksione turistike.
“Në 30 qershor këtu të gjithë do kenë në dorë titulin e pronës së shumëpritur. Që mbasi i trashëguan nga stërgjyshërit akoma nuk i kanë dot. Më 30 qershor, shtëpitë e stërgjyshërve, ato që janë ndërtuar më pas janë në procese për t’u realizuar, do kenë certifikata pronësie. SDo jetë gati edhe “paketa e maleve”, do ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses dhe ekonomi. T’u lënë fëmijëve të tyre ekonomi dhe pasuri të jashtëzakonshme”- tha kryeministri.
Më tej, ai nuk i kurseu batutat me banorët e pranishëm, duke u thënë se nëse nuk do e mbajë premtimin, mund ta shpallin “non grata” duke thumbuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha mbi daljet e tij nga ballkoni i banesës nga ku mbahet në “arrest shtëpiak”.
Rama: Fatmir
Banori: Ju falenderoj zoti kryeministër
Rama: Lëri falenderimet po konfirmo që nëse në 30 qershor, këtu nuk ndodh kjo, kryeministri shpallet non grata në Theth?
Banori: Atë nuk e bëjmë, po kemi shumë besim që do bëhet
Rama: Edhe po e bëtë, do ma lini një penxhere aty në darkë të dal të flas
Top Channel