Në mbledhjen online të zhvilluar sot mes anëtarëve të këshillit bashkiak të Tiranës, u miratuan vendime të rëndësishme si ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë, apo bonuset e qirasë dhe dëmshpërblimet për ata që kanë pësuar aksidente me zjarret në shtëpitë e tyre.
Anëtarët socialistë miratuan me shumicë votash dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e BDI, Ali Ahmeti, partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si dhe emërtimi i një rruge në Tiranë me emrin e Remzi Hoxhës, biznesmenit të zhdukur në vitin 1995 nga SHIK-u i Sali Berishës.
Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe emërtimin e një rruge me emrin e Tomor Malasit, ish deputet i PD dhe ish kryetar bashkie i Tiranës në vitet 1991-’92. Po ashtu, u miratua shpërblimi financiar për klubin e futbollit Partizani, pas triumfit në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2022-2023.
Këshilltarët bashkiakë demokratë nuk ishin të pranishëm në mbledhjen online pasi morën pjesë në protestën e dhunshme jashtë bashkisë ku pati përplasje mes të protestuesve dhe policisë.
Top Channel