Pas kualifikimit në finalen e Kupës së Italisë teksa eliminuan Lazion, Juventus rikthehet në kampionat në ndeshjen ndaj Milanit në Allianz Stadium.
Në konferencën për shtyp, trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri theksoi se bëhet fjalë për një ndeshje direkte që ndikon në objektivat e skuadrës së tij ndërsa nga ana tjetër, livornezi shtoi se është dakord me Piolin kur thotë se Inter ishte ekipi më i mirë i kampionatit.
“Nëse fitojmë i afrohemi edhe më shumë objektivit tonë. Juve-Milan është gjithmonë një superndeshje. Milan është një skuadër shumë e mirë e trajnuar nga një trajner po aq i mirë si Pioli. Pioli tha që Inter është skuadra më e fortë e viteve të fundit? Këtë nuk e di, por Inter ishte padyshim ekipi më i fortë i këtij sezoni. Unë e thoja që në fillimin e sezonit, por atëherë më konsideronit të çmendur.
E di që në fillimin e sezonit si te Inter ashtu edhe te Milan, mendonin se Juventusi ishte favorit ngaqë nuk luante në Europë, por historitë shkruhen nga faktet. Juventusi ia ka dalë duke bërë të kundërtën, në pesë vitet e para, u fituan pesë kampionate dhe u arritën dy finale të Champions League. Pa lënë mënjanë katër Kupa të Italisë, skuadra më e fortë fiton në fund pavarësisht të gjithave.
Juventusi duhet të ketë gjithnjë ambicien për të fituar dhe këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Në këtë sezon duhet të mjaftohemi me kualifikimin në Champions, edhe pse të gjithëve na pëlqen të fitojmë gjithmonë.
A mjaftojnë dy apo tre blerje për të konkurruar Interin? Është më shumë një pyetje për drejtuesit, ata bëjnë merkaton, unë bëj trajnerin”, u shpreh Allegri.
Ndeshjen mes Juventus dhe Milan, mund ta ndiqni në DigitAlb/SuperSport, të shtunën duke nisur nga ora 18:00.
Top Channel