Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir është plagosur lehtë dhe është dërguar në spital pas një aksidenti me makinë, thotë policia izraelite.
Pamjet në rrjetet sociale treguan një makinë që ishte rrokullisur.
Dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe rrethanat e ngjarjes janë duke u hetuar, tha policia sipas BBC.
Mediat izraelite thanë se Ben-Gvir po kthehej nga skena e një sulmi me thikë në qytetin Ramle, afër Tel Avivit.
Sipas shërbimeve të urgjencës, në këtë incident është plagosur rëndë një grua 19-vjeçare. Shefi i policisë së qarkut qendror Avi Biton tha se një burrë që thuhet se kishte probleme të shëndetit mendor kishte sulmuar gruan dhe më pas ishte qëlluar dhe “neutralizuar” nga një civil.
Ben-Gvir është një anëtar i diskutueshëm i qeverisë emergjente të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Kohët e fundit ai bëri thirrje për një përgjigje ushtarake në shkallë të plotë nga Izraeli kundër Iranit pas sulmit me raketa dhe dron të Teheranit ndaj Izraelit, i nxitur vetë nga një sulm izraelit që vrau figura të larta ushtarake iraniane në konsullatën iraniane në Siri.
Top Channel