Luis Enrique: Jemi pranë një titulli të merituar, Mbappe? Sezonin e ri do të jemi më të fortë

26/04/2024 19:47

Paris Saint-Germain ka nisur të bëjë gati atmosferën për titullin e 12-të në histori, që mund të bëhet realitet këtë të shtunë në mbrëmje kur kampionët e Francës të zbresin në fushën e lojës ndaj Le Havre.

Në prag të kësaj sfide, trajneri Luis Enrique theksoi në konferencën për shtyp se ky ishte një sezon shumë i mirë, me spanjollin që gjithashtu tha se e ardhmja e Mbappe-s nuk e shqetëson.

“Jemi shumë pranë titullit kampion dhe është një moment i veçantë. Sinqerisht nuk e kisha menduar një skenar kaq pozitiv, kemi bërë një sezon shumë të mirë dhe jam i lumtur. Përfundimi i këtij sezoni është shumë motivues për ne. Mbappe? Ne kishim një skuadër të re këtë sezon, me shumë lojtarë që erdhën në fillim të edicionit dhe ndërtimi vazhdon. Jam i bindur se sezonin e ardhshëm do të jemi më mirë, ky është mesazhi që dua t’u dërgoj lojtarëve të mi”– tha fillimisht Luis Enrique.

Me sfidën e Borussia Dortmund në horizont, trajneri spanjoll la të kuptohet se ndaj Le Havre ende nuk e ka vendosur formacionin, ndërsa foli me superlativa për Dembele-n.

“Çdo ndeshje e PSG-së këtë sezon ka përfaqësuar një mundësi për lojtarët. Pse të ndryshojë? Le Havre është një ekip që ka nevojë për pikë dhe nuk do të ketë hapësirë. Nëse fitojmë, do të jemi kampionë. Në shtëpi është një mjedis i përsosur për të festuar. Dembele? Ai është një sulmues i nivelit të lartë, po kalon një momente të shkëlqyer. Ousmane kishte shënuar vetëm një gol para Barcelona-s, por me 10 asistime dhe na ka ndihmuar gjithmonë. Për ne është një lojtar i rëndësishëm dhe jam i lumtur nga harmonia që grupi ka, kjo është ajo që ka vlerë për mua” – përfundoi Luis Enrique.

PSG – Le Havre luhet këtë të shtunë dhe do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në “SuperSport5” duke nisur nga ora 21:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA