Pas fitores ndaj Brighton, trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola është pyetur ndër të tjera për formën e Phil Foden.
Tekniku theksoi se Foden është në formë të mirë, por shtoi se nuk duhet të luajë me “marshi e gjashtë” në çdo ndeshje.
“E kam thënë shumë herë, Foden luan me marshin e gjashtë, por ai nuk mund t’i luajë të gjitha ndeshjet në të njëjtin nivel. Ndonjëherë duhet të lëvizësh më qetë dhe unë mendoj se është diçka që ai do të mësojë të bëjë. Me Brighton-in ai bëri shumë më mirë se në dy ose tre ndeshjet e mëparshme dhe në futboll ndonjëherë duhet të ecësh në disa momente ngadalë dhe pastaj të rifillosh përsëri. Atij i pëlqen të luajë dhe ka një sy të mirë për golin dhe një etikë pune të jashtëzakonshme”-u shpreh ai.
Më tej i pyetur pikërisht për çështjen e “marshit të gjashtë”, Guardiola theksoi se jo gjithmonë je i saktë kur nxiton, ndërsa shtoi se ndoshta kur të bëhet më fëmijën e tretë do e kuptojë më mirë.
“Do të doja që ai ta bënte këtë gjithmonë, por duke nxituar humbet saktësia. Nëse ecën me marshin e gjashtë, vazhdimisht mund të humbasësh topin dhe nuk je efektiv. Ndonjëherë duhet të mësojë të jetë më i qetë, por është vetëm çështje kohe dhe ndoshta djali i tij i tretë do ta ndihmojë edhe nga ky këndvështrim. Mund të them se jemi të lodhur në fund të sezonit, por në të njëjtën kohë është emocionuese të luftosh sërish për Premier League-n, sezonet e fundit dhe mendova se ndoshta nuk do të ishim në gjendje t’ja dilnim këtë vit”-shtoi trajneri i City-t.
Top Channel