“Xixat” me Scaronin, Maldini i mbyll gojën presidentit të Milanit

25/04/2024 14:08

Paolo Maldini i ka kthyer përgjigje Paolo Scaronit, presidentit të Milanit. Ky i fundit deklaroi se nuk ka biseduar me legjendën e kuqezinjve pas shkarkimit nga posti i drejtorit teknik, duke mos e kursyer ironinë ndaj Maldinit.

“Kur dikush e shikon të kaluarën e tij me një nivel të caktuar ashpërsie, do të thotë se nuk po e jeton shumë mirë të tashmen. Shpresoj të mos jetë rasti i Maldinit, të cilit i uroj një jetë personale plot kënaqësi”.

E shkurtër dhe kuptimplotë përgjigja e ish-kapitenit historik të Milanit, një ndër lojtarët më fitues në historinë e futbollit.

“Nëse hedh sytë nga e kaluara ime, nuk arrij të ndaloj buzëqeshjen”, theksoi Paolo Maldini, i cili verën e vitit të kaluar i dha fund aventurës si drejtues i klubit të jetës.

Scaroni dhe Maldini punuan së bashku te Milani gjatë viteve 2018-2023. Raporti mes tyre nuk ka qenë gjithmonë pozitiv. Presidenti insistoi se grupi është i bashkuar më shumë se kurrë pas largimit të Maldinit.

Ndërkohë që ky i fundit ia kthente: “Milani meriton një president që kujdeset për interesat e Milanit. Në tribuna e kam parë shpesh të largohej kur kundërshtarët barazonin ose kalonin në avantazh.

Ndoshta vetëm për të shmangur trafikun… Ndërkohë që e mbaj mend shumë mirë në rreshtin e parë kur fituam titullin kampion.

Kështu që nuk arrij ta kuptoj shprehjen e tij se Milani është një grup i bashkuar pa Maldinin. Mund të kemi koncepte të ndryshme sa i përket ndasive dhe grupit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA