Quajini “vrasës gjigantësh”. Kukësi padyshim e meriton këtë epitet. Kanë eliminuar nga Kupa Tiranën dhe Partizanin, duke arritur një finale që ngjason me një mrekulli sportive.
Është e tillë për shumë arsye, jo vetëm për eliminimin e “të mëdhenjve të kryeqytetit”.
Taktikisht, por mbi të gjitha për shpirtin dhe dëshirën. Nuk është e lehtë që një skuadër që tanimë e di fatin e saj, praktikisht e rrëzuar nga Superiorja, të gjejë forcën për të nxjerrë jashtë Kupës dy nga skuadrat më të investuara.
Në kontrast të plotë, Kukësi është skuadra që ka hasur problematikën më të thellë në këtë kampionat. Problemet me ish-presidentin Gjici, financa të reduktuara në mënyrë drastike, por tani kanë shansin historik për të siguruar një trofe. Dhe Europën.
Ndaj Tiranës verilindorët luajtën një futboll cinik, të vetëdijshëm ndoshta për kufizimet që imponon organika. Të kujdesshëm për të mos pësuar dhe “vrastarë” në shanset e krijuara.
Një skuadër kompeticionesh “knock-out”-i, e denjë për karizmën e Bledar Devollit, teknikut që jo vetëm në stil loje por edhe në veshje i pëlqen të imitojë idhullin e tij, “El Cholo” Diego Simeone.
46-vjeçari me Kukësin e tij që në një farë mënyrë demonstron një lloj “cholizmi” në këtë kompeticion. Mes njëmijë e një vështirësish kanë bërë të mundur që qoftë edhe për një ditë, të rikthejnë kujtimet e Kukësit të madh.
Dhe në finale me atë që kanë shfaqur janë një kërcënim edhe për “mbretëreshën” Egnatia. Jo më kot i quajnë “vrasës gjigantësh”…/ Supersport
Top Channel