“Po u bëni shantazh kompanive për t’u vendosur gjoba”, deputeti socialist-Vokshit: Nuk keni qëllim hetimin e koncesioneve në shëndetësi

25/04/2024 12:23
Albana Vokshi, Petro Koçi

Komsioni hetimor për koncesionet në Shëndetësi të sterilizimit dhe check-up është përfshirë gjatë gjithë kohës nga debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Gjatë fjalës së tij deputeti socialist Petro Koçi tha se demokratët nuk kanë qëllim hetimin e koncesioneve por vendosjen e gjobave për kompanitë e përfshira.

“Mesa kam parë unë, ju nuk keni qëllim të hetoni koncesionet. Po u bëni shantazh kompanive për të vendosur gjoba”- tha Koçi.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi iu përgjigj duke thënë se socialistët po përpiqen thjesht të mbulojnë korrupsionin e bërë.

Nga ana tjetër, deputetja socialiste Klodiana Spahiu, duke komentuar edhe përplasjen e mëparshme mes deputetit Edmond Spaho dhe socialistes Edona Bilali, tha se kolegët burra duhet të kenë më shumë kujdes me fjalët e përdorura gjatë debateve.
Vokshi i kërkoi që të njëjtën gjë të bëjnë edhe deputetët socialistë të cilët sipas saj gjatë mbledhjes së kaluar kanë përdorur fjalë tepër fyese.

Pjesë nga debati

Klodiana Spahiu: Një kërkesë të fundit sepse vërej se në këtë mbledhjen e sotme qenkan armatosur fort burrat për të sulmuar gratë. U them këtyre burrave të parlamentit…
Albana Vokshi: Thuaja pak, thuaja pak se ke munguar herën e kaluar, thuaja burrave të tu
Klodiana Spahiu: Nuk e mendoj dhe nuk e gjykoj fare sepse këtu ka kolegë që kanë votuar pro këtij komisioni dhe nuk e kuptoj pse duhet të vihet në komision për të fyer dhe intimiduar gratë pse nuk kanë forcën dhe moralin për të thënë fjalë intimiduese ndaj burrave. U kërkoj edhe kolegëve përballë të bëjnë shumë kujdes
Albana Vokshi: Jam dakord nuk i heq asnjë pikë e presje
Edmond Spaho: Po leje se këto janë muhabete koti
Albana Vokshi- Spahiut: Nuk ka asnjë burrë nga ana juaj që herën e kaluar të mos ketë ofenduar gratë. Do të ftoja të shikoje kamerat e seancës se kaluar

Deputetët anëtarë të komisionit nuk bien dakord mbi mënyrën sesi duhet të vijohet me punën e komisionit. Demokratët kërkojnë fillimisht mbledhjen e provave dhe të dhënave, ndërsa socialistët kërkojnë miratimin e planit të hetimit.

Top Channel