Egnatia, fitorja në “Loro Boriçi” një ‘provë force’! Shumë personalitet për “Final Four”

25/04/2024 16:30

Konsiderojeni një provë force.

Egnatia ka dhënë shumë të tilla, por ky kualifikim në Loro Boriçi përballë Vllaznisë është një tjetër konfirmim i rëndësishëm. Në kualitet, cilësi loje, por mbi të gjitha në personalitet. Nëse për sa i përket organikës e rrjedhshmërisë së organizimit të aksioneve vështirë që dikush të ketë patur ndonjë dyshim, skepticizmi i vetëm që mbetet vetëm pak metra nga finishi historik është ai në lidhje me aftësinë e skuadrës për të përballuar presionin në ndeshjet teke.

Si shumatore e një kampionati normal Egnatia padyshim e ka fituar kampionatin e saj, 8 pikë diferencë ndaj ndjekësve më të afërt, si për koincidencë sërish Vllaznisë në kampionat, aty ku kanë edhe golavarazhin më të mirë, por ky është një sezon që varet nga Final Four, me 3 ndeshje finale në Air Albania që vendosin gjithçka, e po ashtu një Finale kupe, dhe ku Egnatia, përfaqësuesja ekselente e një qyteti të vogël, vështirë se do të mund të ketë avantazhin e tifozerisë më të madhe në numër.

Veç të tjerash ndeshjet që djegin më shumë në këtë sezon, janë padyshim disfata 0-5 me Tiranën në fundin e dhjetorit të kaluar, si dhe Superkupa e humbur ndaj Partizanit në Air Albania pak ditë para asaj sfide. Ndaj Vllaznisë skuadra rrogozhinase demonstroi se janë leksione që i ka përvetësuar dhe mbi të gjitha është rritur si duhet për këtë fazë finale.

Nuk është e lehtë të përballosh presionin në “Loro Boriçi”, edhe pse numri i tifozëve kuqeblu nuk ishte ekzaltues, dhe për më tepër, të marrësh edhe frenat e lojës në dorë me qarkullimin e topit, dhe duke patur në krahun tënd iniciativën. Diçka që skuadra e Edlir Tetovës e bëri, duke treguar se ka dhe personalitetin e duhur për një Final Four. Një sprint i fundit për tu provuar të gjithë skeptikëve se “Kampion nuk lind, por bëhesh”!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA