Banorët e Venecias protestojnë ndaj taksës së re të hyrjes për vizitorët: Po kthejnë qytetin në park zbavitjeje (fotot)

25/04/2024 17:41

Zyrtarët italianë kanë vendosur para një muaji një tarifë prej €5 për vizitorët që hyjnë në qytetin e njohur turistik, sipas tyre për të shmangur ‘turizmin e tepërt’.

Por banorët e Venecias kanë protestuar lëvizjen duke akuzuar autoritetet se po e kthejnë qytetin-lagunë në një “park zbavitjeje” teksa taksa e re po hyn në fuqi.

Tarifa që hyn në fuqi sot ka si objektiv ‘të mbrojë trashëgiminë botërore të Unesco nga turizmi i tepruar ditor’, sipas kryebashkiakut Luigi Brugnaro, për ta bërë atë përsëri “të jetueshëm”.

Por dhjetra rezidentë e shoqata protestonin sot duke kundërshtuar tarifën që sipas tyre nuk zgjidh problemet e përmendura.

“Mund t’ju them se i gjithë qyteti është kundër kësaj tarife,” tha Matteo Secchi, i grupit të aktivistëve Venessia.com. “Nuk mund të vendosësh një tarifë hyrjeje në një qytet turistik duke e kthyer atë në një park zbavitjeje. Kjo i jep një imazh të keq Venecias … ata po tallen”.

Dikur qendra e një republike të fuqishme detare, qendra ishullore e Venecias raportohet se ka humbur rreth  120,000 banorë që prej viteve 1950, sipas zyrtarëve prej turizmit masiv dhe vizitorëve që mbushin sheshet, urat dhe kalimet e ngushta, në kohën e sezonit turistik.

Tarifa e hyrjes aplikohet për qendrën historike dhe mund të porositet online.

Prej saj përjashtohen rezidentët, hyrje-daljet për punë, studentët e fëmijët nën 14 vjeç, si dhe turistët që kalojnë natën aty.

Ndërsa ata që vijnë për një vizitë ditore duhet të kenë biletën e hyrjes me një kod dixhital QR ose mund ta blejnë në hyrje. Autoritetet thonë se “ata që kapen pa biletë në Venezia” gjobiten nga €50 deri në €300.

Megjithë kritikat këshilltari i turizmit të qytetit, Simone Venturini tha se administrata “ishte e qetë për aventurën e tyre”. /TheGuardian/

FOTO GALERI
1/5
Tarifa që hyn në fuqi sot ka si objektiv ‘të mbrojë trashëgiminë botërore të Unesco nga turizmi i tepruar ditor’, sipas kryebashkiakut Luigi Brugnaro

Top Channel