Xhamaika bëhet shteti i 142-të që njeh sovranitetin e shtetit të Palestinës

24/04/2024 21:06

Me njoftimin e fundit, Kingstoni zyrtar i bashkohet bllokut të më shumë se 140 vendeve të OKB që njohin Palestinën si shtet sovran.

“Xhamaika vijon të mbrojë versionin e zgjidhjes me dy shtete të konfliktit të gjatë e të rëndë, me të cilën garantohet siguria e Izraelit ashtu si dhe dinjiteti e të drejtat e palestinezëve”, tha dje ministrja e jashtme xhamajkiane Kamina Johnson Smith.

“Duke njohur Shtetin e Palestinës, Xhamaika forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të zgjidhjes paqësore”, shtoi ajo.

Majed Bamya, përfaqesuesi i përhershëm i Palestinës në OKB dha njoftimin në rrjetin Twitter për vendimin e Xhamaikës.

“Faleminderit që mbani qëndrimin për paqen, drejtësinë dhe të drejtën e vetëvendosjes së popujve”, shkruante zv. ministrja e jashtme e Palestinës, Amal Jadou, në rrjetin X, raporton rrjeti turk TRTWorld.

Smith i atribuonte vendimin e vendit të saj shqetësimeve të thella për luftën e Izraelit në Gaza dhe përkeqësimin e krizës humanitare atje.


Ajo shtonte se në vend të veprimit ushtarak, qeveritë duhet të mbrojnë qasjen diplomatike për zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë.

Smith përsëriste qëndrimin e vendit të saj për armëpushimin e menjëhershëm dhe lejimin e ndihmës humanitare në Gaza, si dhe lirim të pengjeve izraelite.

Ajo theksoi solidaritetin e vet me gratë e fëmijët në Gaza që kanë mbajtur peshën më të rëndë të konfliktit brutal.

FOTO GALERI
1/4
"Duke njohur Shtetin e Palestinës, Xhamaika forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të zgjidhjes paqësore”, tha Kamina Johnson Smith

Top Channel