Pas disa vitesh përplasje politike dhe betejash gjyqësore, ligjvënësit britanikë miratuan këtë javë ligjin me anë të të cilit qeveria shpreson të ndalë flukset migratore që vijnë në vend përmes Kanalit të La Manshit.
Qeveria thotë se kjo polikë është e bazuar në moral, pasi synon t’i japë fund udhëtimeve të rrezikshme që operohen nga kontrabandistët e qenieve njerëzore. Por Kombet e Bashkuara i bënë thirrje Britanisë ta rishikojë këtë çështje.
“Duke shmangur përgjegjësisë për refugjatët, duke reduktuar aftësinë e gjykatave britanike për të shqyrtuar vendimet për dëbim, duke kufizuar qasjen në mjetet juridike në vend si dhe gamën e mbrojtjes të drejtave të njeriut për një grup të caktuar njerëzish, ky ligj i ri pengon seriozisht sundimin e ligjit në Britani dhe përbën një precedent të rrezikshëm ndërkombëtar”, tha zëdhënësja e OKB-së, Ravina Shamdasani.
Sipas marrëveshjes, Britania do t’i paguajë Ruandës të paktën 458 milionë dollarë gjatë pesë viteve, duke dhënë edhe pagesa shtesë, në vlerë prej dhjetëra mijëra dollarësh, për çdo imigrant të dërguar në këtë vend. Opozita e ka quajtur ligjin një marifet të kushtueshëm, që nuk do të funksionojë. Miratimi i tij pas disa vite vonesash shihet një fitore politike për kryeministrin Rishi Sunak.
Por nëse ligji do të arrijë t’i ndalë imigrantët të ndërmarrin udhëtime te rrezikshme e vdekjeprurëse, nëpërmjet Kanalit të La Manshit, kjo mbetet për t’u parë./Voa
Top Channel