Mbi 130 milionë dollarë dëmshpërblim për viktimat e abuzimit seksual të ish-mjekut amerikan, vonesa e FBI i dha mundësi të…

24/04/2024 08:42

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të martën se ka arritur një marrëveshje për t’u paguar një dëmshpërblim prej 138.7 milionë dollarësh mbi 100 personave që akuzuan FBI-në për gabime të rënda në hetimet e tyre lidhur me akuzat për sulme seksuale kundër Larry Nassarit në vitet 2015 dhe 2016.

Vonesat e FBI-së i dhanë mundësi ish-mjekut të Shoqatës amerikane të Gjimnastikës të vazhdonte të abuzonte me vajza dhe gra, para se të arrestohej.

Marrëveshjet për dëmshpërblime për viktimat e Nassarit kapin gjithsej shifrën prej 1 miliardë dollarësh, për të kompensuar qindra gra që kishin akuzuar Nassarin se i kishte sulmuar, nën pretendimin se po i trajtonte për lëndime sportive.

Nassar ishte mjek në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, si edhe mjeku i Shoqatës amerikane të Gjimnastikës. Ai po vuan një dënime me dekada burg për sulmet ndaj atleteve femra, përfshirë gjimnaste me medalje olimpike.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Benjamin Mizer, tha se Nassar tradhtoi besimin e atyre që ishin nën kujdesin e tij për dekada dhe se “akuzat duhej të ishin marrë seriozisht që në fillim”.

“Ndërsa këto kompensime nuk do ta zhbëjnë dëmin që shkaktoi Nassar, shpresa jonë është se ato do të ndihmojnë për t’u dhënë viktimave të krimeve të tij një pjesë të mbështetjes kritike që u nevojitet për të vazhduar rimëkëmbjen,” tha zoti Mizer.

Departamenti i Drejtësisë ka pranuar se dështoi që nuk mori masa. Për më shumë se një vit, agjentët e FBI-së në Indianapolis dhe Los Angeles ishin në dijeni të akuzave kundër tij, por me sa duket nuk ndërmorën asnjë veprim, sipas një hetimi të brendshëm.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray kërkoi ndjesë hapur kur foli me të mbijetuarat në një seancë dëgjimore në Senat në vitin 2021. Mes tyre janë fitueset e lojrave olimpike në gjimnastikë, Simone Biles, Aly Raisman dhe McKayla Maroney.

“Më vjen keq që kaq shumë njerëz ju zhgënjyen, vazhdimisht. Dhe më vjen veçanërisht keq që kishte njerëz në FBI që patën shansin ta ndalonin këtë përbindësh në vitin 2015 dhe dështuan”, tha ai.

Pas një kontrolli, hetuesit thanë në vitin 2016 se kishin gjetur pamje të abuzimit seksual të fëmijëve dhe ngritën akuza federale kundër Nassarit.

Në një proces të veçantë, zyra e prokurorit të përgjithshëm të Miçiganit ngriti akuza për abuzime seksuale që tronditën botën e sportit dhe arritën kulmin në një seancë të jashtëzakonshme njëditore me dëshmi rrëqethëse për krimet e tij, ku atij iu dha dënimi.

“Jam thellësisht mirënjohëse. Mbajtja para përgjegjësisë e Departamentit të Drejtësisë ishte prej kohësh një domosdoshmëri”, tha Rachael Denhollander nga Luiville i shtetit, e cila nuk është pjesë e marrëveshjes së fundit, por ishte personi i parë që foli publikisht për abuzimin e Nassarit ndaj saj.

Universiteti Shtetëror i Miçiganit, i cili gjithashtu u akuzua se kishte humbur shanset për vite me radhë për të ndaluar Nassarin, ra dakord të paguante 500 milionë dollarë për më shumë se 300 gra dhe vajza që u sulmuan seksualisht.

Shoqata amerikane e Gjimnastikës dhe Komiteti Olimpik dhe Paralimpik i SHBA-së dhanë një kompensim prej 380 milionë dollarësh.

“U deshën më shumë se gjashtë vjet lot, dhimbje dhe përpjekje të pandërprera nga viktimat e Nassarit, përfshirë shumë prej sportisteve më të famshme të vendit, që drejtësia të dilte në dritë mbi sjelljen e tmerrshme të zyrtarëve të lartë në FBI dhe për të kërkuar përgjegjësi.” tha John Manly, një nga prokurorët kryesorë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA