Hije skandali te provimi i pranimit, reagon Shkolla e Magjistraturës: Komisioni i vlerësimit elektronik vendosi të mos shpallte menjëherë listën, ndërruam pajisjen sepse…

24/04/2024 13:18

Konkursi i Magjistraturës prej nga ku dalin gjyqtarët dhe prokurorët e rinj në vend është shoqëruar me hije të forta skandali një ditë më parë.

Provimi i kandidatëve, pasi është dorëzuar nga këta të fundit, është kontrolluar me scantron dhe në prezencën e të gjithëve është shpallur edhe lista fituese nga ku ka rezultuar se 79 emra kanë marrë 63 deri në 86 pikë, të mjaftueshme për t’u renditur në krye. Por 24 orë më vonë kur është shpallur lista zyrtare ka rezultuar se nuk ishin më 79 fitues, por 121.

Pasi janë njohur me këtë fakt 27 prej kandidatëve i kanë dërguar një peticion drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi ku i kërkojnë anulimin e konkursit.

Ndërkohë sot ishte parashikuar që provimi do të bëhej në orën 8:00, por më pas është njoftuar se provimi është shtyrë për në orën 15:00 të ditës së sotme.

Gazetarja Anila Hoxha ka siguruar deklaratën e bërë nga Shkolla e Magjistraturës ditën e sotme, e cila sqaron se:

Shkolla e Magjistraturës organizoi, më datë 22 prill 2024, fazën e parë të provimit të pranimit për vitin akademik 2024-2025, pas përfundimit të procesit të verifikimit të dokumentacionit, të realizuar, së pari nga Shkolla, e më tej nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë të Prokurorisë.

Në provim morën pjesë 411 konkurrentë.

Provimi u zhvillua bazuar në ligj dhe në Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, në respekt të parimeve që udhëheqin një proces transparent, konkurues dhe bazuar në meritë.

Teza e provimit të pranimit u krijua në prani të konkurrentëve, me përzgjedhje rastësore të rubrikave të bëra nga vetë konkurrentët. Provimi zgjati 2 (dy) orë e 30 (tridhjetë) minuta dhe u zhvillua nën monitorimin e Shkollës së Magjistraturës dhe monitoruesve të jashtëm nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Europës, OSBE dhe INL.

Procesi i provimit nuk pati asnjë kontestim nga konkurrentët apo monitoruesit.

Pas procesit të provimit, Shkolla nisi procesin e vlerësimit elektronik, vlerësim i cili u bë në prani të konkurrentëve, në sallën e provimit, pasi konkurrentët dorëzuan fletët e provimit të plotësuara nga ana e tyre.

Rezultatet u shfaqën në ekran dhe kandidatët u njohën me pikët e tyre menjëherë. 79 (shtatëdhjetë e nëntë) konkurrentë rezultuan të kishin marrë më shumë se 60% të pikëve.

Komisioni i vlerësimit elektronik dhe administratori i provimit konstatuan se disa teza kishin një numër shumë të ulët pikësh. Gjithashtu, nga një shikim me sy të lirë i fletës së scantron, u konstatua se pajisja scan tron kishte lexuar vetëm 96 përgjigje nga 100 përgjigje të çelësit të tezës.

Këto rrethana, së bashku me daljen e një rezultati të ulët fituesish, prej 79 konkurrentësh, dhe pretendimet e një pjese të konkurrentëve të pranishëm në sallë për pasaktësi të rezultatit, u cmuan nga administratori i provimit dhe komisioni i vlerësimit elektronik si të rëndësishme.

Për këtë arsye, komisioni i vlerësimit elektronik vendosi të mos shpallte menjëherë listën që prodhoi scantroni, por të realizonte verifikime shtesë. Në kushtet e mësipërme, Komisionit të Vlerësimit Elektronik, iu vendos në dispozicion një pajisje e re.

Pas konstatimit se pajisja e re lexoji saktësisht çelësin e tezës së provimit, komisioni vendosi të kalonte të gjitha tezat për vleftësim të rezultateve në pajisjen e re. Në përfundim të procesit, u konstatua se numri i konkurrentëve që kalonin pragun prej 60 % të pikëve për të hyrë në fazën e dytë të provimit ishte 121 (njëqind e njëzetë e një) konkurrentë. Shkolla e shpalli publikisht këtë rezultat dhe njoftoi publikisht ndryshimin e orarit të fazës së dytë të provimit të pranimit, në përmbushje të detyrimit për shqyrtim të ankesave të konkurrentëve brenda 24 orëve nga momenti i shpalljes së listës.

Shkolla është duke realizuar një proces verifikimi administrativ, njëherësh me administrimin dhe vlerësimin e të gjitha kërkesave për rishikim të ardhura nga konkurrentët, në respektim të të drejtës së tyre për ankim.

Vlerësojmë të sqarojmë se Shkolla e Magjistraturës ka angazhim maksimal për të bërë transparencë të plotë në këtë proces dhe të rezultateve të dala prej tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA