Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në Spanjë ku zyrtarët e drejtësisë kanë liruar aksidentalisht nga burgu një miliarder holandez që dyshohet se drejtonte një grup të trafikut të drogës.
BBC shkruan se shkak është bërë një ngatërresë burokratike. Karim Bouyakhrichan, që dyshohet se është një udhëheqës i Mafias Mocro, u arrestua në Marbella në janar pas një hetimi pesë-vjeçar për pastrim parash.
Por ai u lirua aksidentalisht mes ngatërresës për një kërkesë holandeze për ekstradim, përpara se të zhdukej këtë muaj. Autoritetet spanjolle janë të sigurta se shefi i dyshuar i kartelit, do të gjendet.
Duke folur me gazetarët të martën, Ministri i Drejtësisë Félix Bolaños pranoi se arratisja ishte “lajm shqetësues”, por këmbënguli që forcat e sigurisë “do ta dorëzojnë këtë person para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Mocro Mafia i referohet disa prej karteleve më të mëdha të trafikut të kokainës në Evropë dhe besohet se ka kontrabanduar miliarda euro të drogës nga Amerika e Jugut në BE gjatë 15 viteve të fundit.
Thuhet se ata përdorin portet e mëdha në Amsterdam dhe Roterdam për të lëvizur kokainën nëpër kontinent, ndërsa drejtojnë operacionet e pastrimit të parave në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Marok.
Mediat në Holandë i kanë lidhur gjithashtu kartelet e drejtuara nga Bouyakhrichan me kërcënimet e bëra ndaj trashëgimtares së fronit holandez, Princeshës Amalia. Javën e kaluar u zbulua se kërcënimet e rrëmbimit nga bota e krimit të organizuar të Holandës e kishin detyruar princeshën e kurorës të jetonte në Spanjë për të paktën një vit.
Bouyakhrichan – i njohur gjithashtu si “Taxi”- u arrestua në janar së bashku me pesë persona të tjerë pasi u akuzua për pastrim parash përmes blerjes së 172 pronave në Spanjë me vlerë mbi 50 milionë euro.
46-vjeçari ishte një nga kriminelët më të kërkuar në Evropë dhe ishte ndjekur nga Interpoli për të paktën pesë vjet. Vëllai i tij, Samir, besohet të ketë themeluar njërin krah të Mocro Maffia – një bandë holandeze-marokene me bazë në Holandë dhe Belgjikë, përpara se të vritej në vitin 2014.
Bouyakhrichan dyshohet se ka marrë kontrollin e perandorisë së vëllait të tij pas vdekjes së tij. Arrestimi i tij këtë vit besohet se ka qetësuar një luftë për pushtet midis fraksioneve konkurruese të krimit të organizuar që shkaktoi disa të vrarë.
Pasi mësuan për ndalimin e Bouyakhrichan, autoritetet holandeze paraqitën një kërkesë ekstradimi e cila fillimisht u miratua nga një gjykatë kombëtare në Madrid që më pas i caktoi masën “detyrim paraqitje” dhe dorëzimin e pasaportës që të mos kishte mundësi të largohej nga vendi. Deri më 1 prill, bosi i drogës u paraqit regullisht në gjykatë dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë.
Ministri Bolaños refuzoi të komentojë mbi gabimin burokratik të martën kur u pyet nga gazetarët. Vincent Veenman, një zëdhënës në zyrën e prokurorit publik holandez në Hagë, tha se ishte e pakuptueshme pse zoti Bouyakhrichan ishte liruar nga burgu.
Top Channel