Gazetari Sokol Bregu teksa foli për numrin e shqiptarëve që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe zbuloi pse një numër kaq i madh personash zgjedhin të jetojnë atje.
Në një lidhje skype për emisionin “Breaking” me gazetaren Fiori Dardha në Top News, Bregu tha se eksponentë të krimit të organizuar zgjedhin të jetojnë në Dubai pasi janë të sigurt nga atentatet që mund t’u bëhen, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri.
“Mos të harrojmë që pjesa më e madhe e tyre nuk është në fshehje thjesht kanë zgjedhur të jetojnë atje për shkak të mospërplasjeve. Në Shqipëri, mund t’u ndodhë ndonjë atentat, atje e kanë jetën e sigurt”- tha gazetari.
Duke marrë si shembull atentatin e fundit të ndodhur në Dubai, Bregu tha se autorët e vrasjes së biznesmenit u dënuan me vdekje dhe një dënim i tillë bën që të tjerët të mos tentojnë të kryejnë vepra kriminale.
“Atentati i fundit me armë zjarri, ndan një biznesmeni. Vrasësit ishin kinezë dhe u dënuan me vdekje. Atje nuk ka shaka me ligjin. Nuk janë vetëm ata që kërkohen nga drejtësia shqiptare që jetojnë në Dubai. Ka edhe eksponentë të tjerë të krimit të organizuar që nuk janë në kërkim por për shkak të sigurisë dhe aleancave që kanë zgjedhin të jetojnë në Dubai”- shtoi Bregu.
Në investigimin e publikuar nga gazeta zviceriane, rezulton se numri i shqiptarëve në Emiratet e Bashkuara arrin deri në 5 mijë persona gjatë verës. Ndërsa më tej në artikull thuhet se në Dubai jetojnë edhe 500 eskorta shqiptare.
Top Channel