Riparuesja e vetme e çadrave në Slloveni, thotë se kërkon të përmirësojë ‘motin e keq ekonomik’ (fotot)

22/04/2024 19:42

Megjithëse shumë njerëz besojnë se kur çadra nuk funksionon duhet blerë një e re, riparuesja Marija Lah ka shumë vjet që i tregon njerëzve se për këtë e kanë gabim, dhe se me riparimet e saj mund te kursehen para.

“Çdo gjë mund të riparohet, unë mund të riparoj 98% të çadrave që më sjellin,” thotë 56-vjeçarja sllovene, duke treguar një çadër 50 vjeçare për të demonstruar cilësinë e saj.

Marija Lah thotë se është e vetmja riparuese e çadrave e mbetur në kryeqytetin slloven Ljubljana, një profesion që e ka trashëguar nga i ati.

“Në vitin 1991 babait tim iu prishën sytë dhe nuk mund të punonte dot më, sepse për të riparuar çadrat duhen sy të mirë, por sigurisht edhe duart. Kështu që ai më tha se ‘ose do të vish të puonosh me mua në dyqan, ose ta mbyll’. Dhe unë i thashë që nuk mund ta mbyllte dhe u bashkova me të në dyqan”, tregon Marjia për rrjetin AFP.

“Ai më tregonte njëqind herë si të bija një gjë, kishte një durim të pabesueshëm, dhe më thoshte të vërtetën, unë isha një nxënëse e mirë, por një ditë papritur ai nuk ishte më”, tregon gruaja kur mbeti pa të atin e saj.

Marija vijon më tej historinë:

“U ktheva në dyqan dhe i thashë vetes se të paktën duhet të tentoja përfundoja ato çadra që kishin lënë njerëzit për të riparuar. Dhe klientët sikur t’i dinin mendimet e mia pas vdekjes së babait, më pyesnin: ‘Ti zonjushe punon shumë mirë, a do të qëndrosh ti këtu tani? Nuk mud ta mbyllësh dyqanin, ti as nuk e ke me qera, do të qëndrosh, apo jo?’”

“Edhe unë i thashë vetes që njohuritë që kisha marrë nuk duhet të shkonin dëm, klientët më nxisnin të qëndroja duke thënë se nuk kishte asnjë dyqan si ky në Ljubljana”.

Marija tregon më tej për sfidat:

“Por ishte e vështirë pasi çdo vit në treg dilnin tipe të reja çadrash dhe unë duhet të isha gjithë kohës duke mësuar si t’i riparoja. Ishte bukur por dhe sfiduese, duhet të montojë e çmontoja këto çadra për të parë si t’i riparoja”, tregon Marija, duke shtuar se çadrat duhet të kenë sa më shumë pjesë prej metali, siç i bënin dikur çadrat e vjetra kur ato mund të rezistonin nganjëherë dhe disa dekada./AFP//

FOTO GALERI
1/3
Marija Lah thotë se është e vetmja riparuese e çadrave e mbetur në kryeqytetin slloven Ljubljana, një profesion që e ka trashëguar nga i ati.

Top Channel