Bobo Vieri nuk arrin t’i kuptojë dhe pranojë kritikat ndaj Stefano Piolit.
Ish-sulmuesi i Interit, i cili veshi për një periudhë të shkurtër edhe fanellën e kuqezinjve, u ndal te derbi i zjarrtë i Milanos dhe tek e ardhmja e teknikut të “Djallit” në prononcimin e fundit.
“Pres një derbi të madh, një ndeshje të bukur dhe plot tension. Për interistët do të ishte e jashtëzakonshme të fitonin titullin përballë Milanit. Për tifozët dhe futbollistët.
Leao si sulmues? Unë e konsideroj një futbollist shumë të fortë. Rafa mund të luajë në çdo pozicion. Ai dhe Theo Hernandez janë dy kampionë të mëdhenj. Lojtarë që bëjnë diferencën nëse ndodhen në ditën e tyre.
Milanit i ka munguar vazhdimësia, ndërkohë që Interi është një super skuadër. Me 22-23 futbollistë të fortë dhe një pankinë fenomenale. Është e vështirë ta mposhtësh këtë Inter…
Inzaghi është treguar fantastik, u ka marrë maksimumin të gjithëve. Sa i përket Piolit, unë do e konfirmoja gjithmonë. Ka fituar një titull, ka luajtur gjysmëfinalet e Championsit dhe këtë sezon është i dyti në kampionat. Çfarë mund të bëjë më shumë?!
Të shumtë janë ata që mendojnë se është i nevojshëm një ndryshim pas 4-5 vitesh, pasi skuadra ka nevojë për ajër të freskët. Por, unë do të mendohesha gjatë përpara se të shkarkoja Piolin”, theksoi Vieri.
Milan-Inter (21:00) do të transmetohet live në SuperSport 2. Nëse zikaltrit fitojnë duelin e përjetshëm do të shpallen zyrtarisht kampionë Italie, për herë të 20-të në histori.
Top Channel