Kompozitori i njohur, Edmond Zhulali ka qenë i ftuar në emisionin “Galeri” me Edi Manushin në Top Channel ku ka folur për historinë e familjes së tij si dhe festivale të ndryshme ku ka marrë çmimet e para.
Ndër të tjera ai foli edhe për vëllain e tij të ndjerë, Safet Zhulalin i cili gjatë viteve 1992-1997 ka mbajtur postin e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë. Fillimisht ai kujtoi detaje nga vizita e ish-sekretarit amerikan të Shtetit në Shqipëri në 1996-ën, Uilliam Perry.
“Kjo është një foto e rrallë sepse në atë foto ndodhet në qendër ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Uilliam Perry i cili ka ardhur në Shqipëri për vizitë në vitin 1996 dhe këtu jemi në Kalanë e Krujës. Për nder të tij u shtrua një drekë dhe u organizua një koncert”- tha kompozitori.
Ndërsa teksa përmendi vizitën zyrtare të vëllait të tij, Safet Zhulali në SHBA, tha se ai ka qenë ndër ministrat e vetëm që është pritur tre herë me ceremoni të plotë në Pentagon.
“Safeti është një ndër ministrat e rrallë në botë që është pritur 3 herë me ceremoni të plotë me 21 të shtëna topi në Pentagon. Është ndoshta i vetmi. Mendoj se gjithë qeverisja e PD që mori drejtimin e pushtetit në atë kohë ishte orientuar drejt partnerit strategjik SHBA-ve”- shtoi Zhulali.
Top Channel