Miratimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE, ministri i Jashtëm i Greqisë kritikon raportin e Bakojanis: Do të abstenojmë, nuk e njohim si shtet

22/04/2024 10:17
Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis

Ka gati një javë që në Athinë është rihapur debati për çështjen e Kosovës me rastin e raportit të Dora Bakojanis në Këshillin e Evropës i cili u miratua më 16 maj, me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Raporti që vlerësonte se Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe ndër të tjera thuhej se “Kosova mund të konsiderohet si një demokraci funksionale parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit, si dhe garantimin kushtetues të të drejtave dhe lirive themelore”, shkaktoi një sërë reagimesh në Serbi, pakënaqësi në Qipro, por edhe reagime në qarqet diplomatike greke.

Vetë ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, duke u distancuar dhe madje duke dhënë kritika për raportin, ka vënë në dukje se mendimi i komisionit kompetent të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe seancës plenare të Asamblesë Parlamentare, i cili vendosi pozitivisht për hyrjen e Kosovës në organizatë “është jo i detyrueshëm”.

Organi vendimtar për rastin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është Këshilli i Ministrave, i cili do të mblidhet më 16 maj dhe do të vendosë”, thekson Gerapetritis dhe shton se “pavarësisht qëndrimit që është shprehur si në nivel të raportit të Komisionit ashtu edhe në nivel të Asamblesë Parlamentare – e cila, e përsëris, përbëhet nga deputetë, jo nga qeveritë e shteteve anëtare – pozicioni i Greqisë mbetet i qëndrueshëm dhe i pandryshuar”.

“Siç kemi bërë në të kaluarën në raste të ngjashme, Greqia do të abstenojë nga ky votim dhe nuk do ta mbështesë kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës për arsye politike”, ka theksuar ministri i Jashtëm, por nuk është kufizuar vetëm me kaq.

Duke u distancuar më tej nga raporti, Gerapetritis shtoi se “ndonëse një nga çështjet themelore që ishte ngritur në lidhje me anëtarësimin e Kosovës si kusht, që ishte kthimi i pronave të manastirit serb, u përmbush, disa nga çështjet themelore ende nuk janë plotësuar, e mbi të gjitha krijimi i Unionit të Komunave Serbe në Kosovë”.

Greqia “mbetet në politikën e saj të jashtme parimore. Ne nuk e ndryshojmë mendimin tonë nëse nuk ndryshojnë faktet mbi bazën e të cilave janë marrë vendimet. Ne inkurajojmë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe duam zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve. Prandaj, në këtë fazë qeveria greke do të abstenojë nga ky votim” -është shprehur Gerapetriti .

Nga ana e saj Dora Bakojanis u përgjigjet gjithë regimeve me një artikull të saj të botuar tek gazeta «To Vima» e së dielës titulluar «Tre mite për Kosovën dhe raportin» ku ndër të tjera thotë se ky raport nuk sjell njohjen e Kosovës nga ana e Greqisë, pasi i përgjigjet vetëm pyetjes nëse Prishtina i plotëson disa kushte themelore për të hyrë në organizatë dhe nuk është kërkuar asnjë vlerësim nëse Kosova është shtet apo jo, sepse kjo është e drejtë ekskluzive e qeverive të shteteve anëtare.

Gjithashtu ajo thekson se deputetët grekë nuk u dhanë një çek të bardhë Kosovarëve, por për të arritur një përfundim pozitiv, u deshën 300 ditë, misione në Prishtinë dhe Bruksel, një ekip avokatësh të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveri, ambasadorë, kryetarë komunash serbë, përfaqësues të kishës serbe, OJQ dhe organizata ndërkombëtare.

«Asnjë anëtari të mundshëm nuk i është kërkuar të bëjë kaq shumë reforma (duke përmendur edhe manastirin) para se të konsiderohet për anëtarësim në Organizatë», ka thënë Bakojanis e cila sqaron opinionin publik se «shoqëria dhe sistemi politik në Greqi dhe Qipro duhet ta kuptojnë plotësisht se Kosova dhe Qipro janë dy raste krejtësisht të ndryshme, pasi Kosova njihet nga shumica e shteteve evropiane, ndërsa pseudoshteti i pushtuar njihet ekskluzivisht nga Turqia».

Top Channel