Një punonjës i bashkisë së Elbasanit humbi jetën mesditën e së premtes teksa po riparonte llambat elektrike në lagjen ‘5 maji’, pasi u rrëzua nga vinçi.
Lidhur me ngjarjen, policia e Elbasanit ka nisur hetimin në gjendje të lirë për 55-vjeçarin S.Ç., me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Administratës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë e Shërbimeve Publike dhe Urbane.
Ndërkohë është shpallur në kërkim, pas veprimeve hetimore, përgjegjësi i Sektorit të ndriçimit pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike në A.Sh.P.U., M.Q., 54 vjeç, banues në Elbasan.
“Në vijim të njoftimit të djeshëm, bëjmë me dije se, Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Ç., 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Administratës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë e Shërbimeve Publike dhe Urbane, Elbasan.
Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim shtetasi M. Q., 54 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë përgjegjësi i Sektorit të ndriçimit pranë Drejtorisë së shërbimeve Publike në A.Sh.P.U, Bashkia Elbasan.
Ditën e djeshme, shtetasi E. B., 56 vjeç, punonjës i Bashkisë, i punësuar në këtë sektor, u rrëzua nga vinçi, gjatë punës për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji” dhe si pasojë e dëmtimeve humbi jetën në spital.“-njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Top Channel