Salianji nga Roskoveci: Qeveria të tërhiqet nga taksimi i profesioneve të lira, është nismë kriminale

20/04/2024 20:17

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka marrë pjesë në një takim me demokratët në qytetin e Roskovecit, nga ku bëri thirrje që qeveria të tërhiqet nga taksimi i profesioneve të lira.

Sipas tij ndodhemi në kushte alarmi prej shpopullimit dhe rëndimi me taksa do sjellë edhe largimin e profesionistëve.

“Cila është kjo Shqipëri që Edi Rama trumbeton? Shqipëria ku janë larguar 700 mijë njerëz? Shqipërinë që e ka tharë Edi Rama nga të rinjtë dhe profesionistët të cilët duan të ikin nga sytë këmbët për arsye se nuk ka drejtësi në këtë vend? Këtu në Roskovec duan të ndërtojnë një TEC që do shkatërrojë të gjithë zonën. Ne do ta kundërshtojmë. Kështu donin ta bënin edhe në Korçë. Dua ta shkatërrojnë kthejnë një burim të rëndësishëm që kanë këta banorë bujqësinë dhe ta kthejnë në zonë për të investuar oligarkët”, tha Salianji.

“Pse Edi Rama nuk ka frikë kur rrit taksat fermerëve, rrit sigurimet shoqërore fermerëve, krijon monopole dhe u rrit pesticidet, farat, plehun, etj? Sepse edhe në një zonë që tradicionalisht që e ka quajtur të majtë si Fieri, Rama nuk zgjedh më të mirët te socialistët. Shikoni qarkun e Fierit, Bimbashi i Fierit me dhjetëra procedime penale mbrohet nga Rama nga SPAK. Ky tjetri i Lushnjës, një që kishte bashkë me PS, me drejtuesit kryesorë të PS në burg për korrupsion, Bufi këtu me 100 të zeza. Në vend që të përdorë edhe këtë makinën që e ble në emër të bashkisë që të udhëtojë rehat, e keni parë që i përdorin makinat si taksi droge. Ne nuk mund ti harrojmë këto. Si mund të votohet kryetare bashkie kur makinat e bashkisë janë po këta njerëz problematikë në krye të sistemit dhe krye të bashkive e çdo institucioni publik në këtë vend. Janë njerëz që paguhen nga taksat e qytetarëve por kthehen në shërbëtorë të krimit”, theksoi më tej Salianji.

Top Channel