Ministrat e jashtëm të Turqisë e Egjiptit mbajnë bisedime për Gazën në Stamboll (fotot)

20/04/2024 19:06

Ministri i jashtëm i Egjiptit Sameh Shoukry dhe homologu i tij turk, Hakan Fidan, u takuan sot në Stamboll për bisedime në lidhje me konfliktin e rëndë në Gaza dhe zgjerimin e lidhjeve mes Turqisë e Egjiptit.

“Çdo gjë që ndodh në Palestinë mund të shkaktojë ‘tronditje sizmike’ globale, siç po shikojmë që po ndodh”, tha Fidan në konferencën e shtypit, teksa shtonte:

“Ajo që ndodh këtu prek Lindjen, Perëndimin, Veriun Jugun. Prandaj kriza më e madhe me të cilën përballet bota është hipokrizia e sistemit ndërkombëtar, të cilit i ka rënë makijazhi dhe e vërteta po zbulohet”.

“Sistemi ndërkombëtar i centralizuar që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, është një rend paligjshmërie e keqfunksionimi”, shtoi Fidan.

Homologu egjiptian Sameh Shoukry, mbështeti fjalët e turkut:

“Prej fillimit ne kishim paralajmëruar se Gaza do të shkaktonte një zgjerim të konfliktit dhe tani po shikojmë pasojat; goditjen e lundrimit të lirë në Detin e Kuq dhe tensionet ushtarake mes Iranit e Izraelit. U kërkojmë të dyja palëve të përmbahen nga konfrontimet ushtarake”.

Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë në fushatën e bombardimeve izraelite në Gaza dhe më shumë se gjysma e infrastrukturës civile të territorit është shkatërruar, nga sulmet për të cilat Izraeli thotë se janë në kundërpërgjigje të sulmit të 7 tetorit nga Hamas brenda Izraelit me rreth 1000 të vrarë.

Zhvillimi vjen teksa sot presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bisedoi për disa ore me kreun e Hamas në Stamboll, Ismail Haniyeh.

Zyra e presidentit tha se Erdogan kishte kërkuar “unitet dhe integritet mes palestinezëve”.

FOTO GALERI
1/3
“Sistemi ndërkombëtar i centralizuar që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, është një rend paligjshmërie e keqfunksionimi”, shtoi Fidan.

Top Channel