Joe Biden kritikohet për komentet e ‘kanibalizmit’ ndaj vendit të Oqeanisë (fotot)

20/04/2024 18:38

Një akademik vendas tha për ‘The Guardian’ se banorët e Papua New Guinea ‘nuk ka gjasa të kenë ngrënë’ xhaxhanë e presidentit Biden.

Përfaqësues të shtetit të vogël të Oqeanisë, Papua New Guinea kanë kritikuar së fundmi Joe Biden i cili sugjeronte se kur xhaxhait të tij iu rrëzua avioni në kohën e luftës, ‘me siguri e kishin ngrënë fiset vendase’ në ishullin e Oqeanisë.

Por së fundmi një profesor nga Papua New Guinea tha për rrjetin britanik The Guardian, se fiset vendase “nuk hanë çdo njeri të bardhë që bie nga qielli”, duke kritikuar deklaratën.

Në një miting elektoral në Pennsylvania të mërkurën, Biden kujtonte fatin e xhaxhait të tij  ushtarak Ambrose J Finnegan Jr., avioni të cilit ishte rrëzuar “në New Guinea” në vitin 1944. Biden tregonte historinë: “Ata nuk e gjetën kurrë trupin e tij, ndoshta sepse aty ka pasur shumë kanibalë, me të vërtetë, në atë pjesë të Guinesë”.

Michael Kabuni, studiues politik i Universitetit të Papua New Guinea, tha për rrjetin The Guardian, se megjithëse kanibalizmi historikisht është praktikuar nga disa fise vendase, “ata gjithsesi nuk hanin çdo njeri të bardhë që binte nga qielli”.

“Popujt Melanesian … janë shumë krenarë,” tha Kabuni.

“Dhe ky kategorizim është shumë ofendues për ta. Jo sepse dikush mund të thotë se ‘ka pasur kanibalizëm në Guinea, po, ne e dimë që ka pasur, por kjo është ta nxjerrësh nga konteksti dhe të thuash se xhaxhai ra nga avioni dhe dikush në tokë e priste si ‘një vakt i mirë për të ngrënë’”.

Sugjerimi presidentit se “xhaxhai Bosie” ishte ngrënë nga kanibalët në vendin e huaj, dëmton lidhjet e SHBA me vendet e Paqësorit, shtonin të tjerë ekspertë diplomacie.

Mirëpo sugjerimi i Joe Biden është pritur dhe me zbavitje nga media të ndryshme si një variacion ndaj fjalimeve të mërzitshme politike të fushatës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se avioni ku Finnegan ishte pasagjer u rrëzua në oqeanin Paqësor dhe nuk përmendet kanibalizmi apo rrëzim nga zjarri armik.

Rreth 79,000 ushtarë të SHBA mbeten të pagjetur prej Luftës Dytë Botërore, shtonte më tej  Kabuni, teksa pyeti: “Ushtarët e zhdukur të SHBA shtrihen nga Azia, në gadishullin korean dhe në Evropë. Mos Biden do të thotë se të gjithë janë ngrënë nga kanibalët?”

Guvernatori vendas Allan Bird komentonte deklaratën e Biden. “Nuk kam fjalë në fakt, jo se jam i ofenduar por është qesharake. Jam i sigurt se kur Biden ishte fëmijë, këto do të kenë qenë ato që i tregonin prindërit, dhe si duket i janë ngjitur në mendje gjithë jetën”.

Sipas versionit të Pentagonit, xhaxhai i Biden vdiq më 14 maj 1944, teksa udhëtonte si pasagjer mjetin A-20 që fluturonte drejt New Guinea.

“Për arsye të panjohura avioni la oqeanin dhe hyri në brigjet veriore të New Guinea .Një person është shpëtuar nga përplasja ndërsa tre të tjerë nuk u gjetën kurrë”, thotë agjencia.

FOTO GALERI
1/3
Biden sugjeronte se kur xhaxhait të tij iu rrëzua avioni në kohën e luftës, ‘me siguri e kishin ngrënë fiset vendase’ në ishullin e Oqeanisë.

Top Channel