Teherani ka minimizuar madhësinë dhe ndikimin e një sulmi të raportuar ajror izraelit ndaj caqeve brenda Iranit.
Ky sulm i raportuar izraelit dukej se ishte në shenjë hakmarrjeje ndaj një sulmi të paprecedent ajror që Teherani kreu fundjavën e kaluar ndaj armikut të tij të përbetuar, në mes të sinjaleve se një përshkallëzim i konfliktit është shmangur.
Shpërthime u raportuan mëngjesin e 19 prillit – në ditëlindjen e 85-të të liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei – afër qytetit të Isfahanit me raportime të paqarta për shkakun. Ndërkaq, disa media të mëdha amerikane cituan burime brenda Qeverisë amerikane që thanë se Izraeli kishte kryer një sulm ndaj caqeve brenda Iranit.
Media shtetërore iraniane citoi zyrtarë në Teheran që thanë se shpërthimet u shkaktuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore që rrëzuar tre dronë.
Izraeli nuk ka komentuar raportimet për sulmin e raportuar.
Por, ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, i tha medias amerikane, NBC News, se Teherani po heton incidentin, por nuk ka asnjë tregues se sulmi ishte i lidhur me Izraelin.
Ai paralajmëroi se nëse Izraeli sulmon sërish, Irani do të përgjigjej menjëherë “në nivel maksimal”.
“Nëse Izraeli hakmerret, atëherë ne do të përgjigjemi. Por, nëse jo, ne kemi përfunduar punën”, tha kryediplomati iranian.
Ai shtoi se nuk ka sinjale për të dëshmuar se ky veprim u bë nga Izraeli.
“Ata [dronët] u lëshuan nga brenda Irani, fluturuan për disa qindra metra dhe më pas u rrëzuan nga sistemet tona të mbrojtjes ajrore. Nuk është dësmuar se ka një lidhje mes tyre dhe Izraelit2, tha Amir-Abdollahian.
“Dy apo tre, ata ishin pak a shumë si lodra me të cilat luajnë fëmijët tanë, e jo dronë. Nuk ja ka vlejtur që të na tregonin”, shtoi ai kur u pyet nëse ndonjë shtet tjetër kishte paralajmëruar Teheranin paraprakisht për sulmin.
Më herë, Hossein Deliriyan, zëdhënësi i Qendrës Kombëtare iraniane për Hapësirën Kibernetike, po ashtu kishte mohuar raportimet e mediave amerikane, duke shkruar në X – që më herët njihej si Twitter – se “nuk ka pasur asnjë sulm ajror nga jashtë kufijve ndaj Isfahanit apo pjesëve tjera të shtetit”.
Ndërkaq, gjatë një fjalimi në një xhami më 19 prill, presidenti Ebrahim Raisi nuk përmendi sulmin afër Isfahanit, dhe me madhësinë e kufizuar të sulmit hakmarrës të Izraelit, ekspertët kanë thënë se duket se sulmi kishte për synim të shtensiononte situatën dhe njëkohësisht t’i dërgonte një mesazh të qartë Teheranit./Rel
Top Channel