Një person është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur gjatë një shpërthimi në një bazë ushtarake në Irak, ku janë të stacionuar grupe të armatosura pro Iranit.
Detajet e plota mbeten të paqarta për shpërthimin që goditi bazën Kalsu në provincën Babilon, në jug të Bagdadit, ku gjenden edhe ushtria e rregullt, policia dhe anëtarët e Forcave të Mobilizimit Popullor të Irakut ose Hashed al-Shaabi.
Shpërthimi ndodhi disa ditë pasi Irani kreu një sulm të paprecedent ndaj Izraelit, me qindra dronë dhe raketa. Po ashtu ndodhi pas një sulmi në Iran, që raportohet se u krye nga Izraeli më 19 prill.
Forcat irakiane të sigurisë thanë se “shpërthim dhe zjarr” goditi bazën Kalsu, në orët e para të së shtunës, duke vrarë një person dhe duke plagosur tetë të tjerë.
Komanda e mbrojtjes ajrore nuk ka raportuar për “dronë apo avionë luftarakë në hapësirën ajrore në provincën Babilon para apo gjatë shpërthimit”, u tha në njoftim. Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë.
Pak pas shpërthimit, ushtria amerikane tha se forcat e saj nuk qëndrojnë prapa sulmeve në Irak. Ndërkaq, ushtria izraelite tha se nuk komenton “informacione të publikuara në media të huaja”. Grupi Hashed al-Shaabi tha se shpërthimi ka shkaktuar viktima, por pa dhënë një numër të saktë të tyre. Ndërkaq, një zyrtar ushtarak irakian, që foli në kushte anonimiteti, tha se shpërthimi goditi “depo ku ruheshin pajisje”.
Grupi Hashed al-Shaabi është pjesë integrale e aparatit të sigurisë së Irakut dhe funksionon nën autoritetin e kryeministrit. Ky grup mbledh rreth vetes fraksione të armatosura pro-iraniane, disa prej të cilave kanë kryer disa sulme në Irak dhe Siri kundër forcave amerikane. Ky grup u zotua se kushdo që qëndron prapa sulmit do të ndëshkohet.
Top Channel