Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme dhe kërcënime ndaj njëri-tjetrit në javët e fundit, duke rritur shqetësimet për mundësinë e një lufte të plotë në mes të armiqve të përbetuar.

Izraeli ka nisur sulme kundër Iranit më 19 prill, pothuajse një javë pas sulmeve të pashembullta të Teheranit me raketa dhe dronë drejt tokës izraelite.

Sulmi i Iranit ka qenë kundërpërgjigje për një sulm ajror që ka vrarë shtatë komandantë iranianë në konsullatën iraniane në Siri, më 1 prill. Irani e mban përgjegjës Izraelin për atë sulm, por ky i fundit as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar diçka të tillë.

Në rast të ndonjë konflikti të madh të drejtpërdrejtë, Izraeli do të ishte në avantazh ushtarak, si në aspektin e mbrojtjes, ashtu edhe të sulmit, vlerësojnë ekspertët.

Por, ata besojnë se edhe kërcënimi që përbën arsenali iranian me dronë dhe raketa, nuk duhet të nënvlerësohet.

Duke qenë nën sanksione që disa dekada, Irani ka investuar tejet shumë në zhvillim të programeve të brendshme të armëve, çka ka rezultuar me dronë të lirë dhe efektiv, por edhe raketa të avancuara balistike.

John Krzyzaniak, hulumtues në Projektin Uiskonsin për Kontrollin e Armëve Bërthamore, ka thënë se raketat e Iranit “përbëjnë kërcënim serioz” për Izraelin.

Ndërkohë, dronët luftarakë dhe vetëvrasës të Iranit “mund të bëjnë kërdinë në popullsinë civile”, nëse lëshohen në numër të madh, ka thënë ai.

Prapëseprapë, Izraeli është në përparësi.

Përveç avantazhit të Izraelit ndaj Iranit, në aspektin operacional dhe atë të inteligjencës, ky vend ka edhe pajisje për mbrojtje prej sulmeve bërthamore, kanë thënë ekspertët.

Izraeli besohet se posedon edhe armë bërthamore, dhe sipas Iniciativës për Kërcënim Bërthamor, me bazë në Uashington, vlerësohet se ky vend i ka 90 koka bërthamore.

Përgjatë sulmit të 13 prillit, Irani i ka lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa balistike drejt Izraelit.

Teherani ka pretenduar se nuk i ka përdorur disa prej armëve më të avancuara të shtetit. Sulmi besohet të ketë qenë i menduar mirë, ashtu që të mos ketë dëme të mëdha në civilë apo në infrastrukturë.

Izraeli ka thënë se pothuajse të gjithë dronët dhe raketat iraniane janë rrëzuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Jordanisë.

Disa prej raketave i kanë depërtuar mbrojtjes izraelite dhe e kanë goditur një bazë ajrore, duke shkaktuar dëme shumë të vogla, sipas Forcës Mbrojtëse të Izraelit.

Fabian Hinz, hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, ka thënë se vendimi i Iranit për t’i lansuar më shumë se 100 raketa balistike, ka qenë “goxha i madh”, për shkak të logjistikës dhe burimeve njerëzore të përfshira.

“Në fakt nuk jam i sigurt që ka ndodhur diçka e tillë më parë nga ana e Iranit dhe më bën të hamendësoj sa larg do të mund të shkonte”, ka thën Hinz për Shërbimin iranian të Radios Evropa e Lirë.

Sistemet mbrojtës të Izraelit kanë “performuar mirë” kundër raketave iraniane, ka thënë Jeremy Binnie, specialist i mbrojtjes për rajonin e Lindjes së Mesme, në kompaninë e inteligjencës në fushën e mbrojtjes, Janes.

Mirëpo Binnie ka thënë se qëndrueshmëria e armëve iraniane besohet të ketë luajtur rolin më të madh.

Inteligjenca amerikane ka vlerësuar që gjysma e raketave iraniane ose kanë dështuar që të nisen, ose kanë pësuar dështime gjatë fluturimit.

Aeroplanët e avancuar të Izraelit i ofrojnë këtij shteti një tjetër avantazh në hapësirën ajrore.

Mirëpo, Izraeli përballet me pengesa të shumta, vlerësojnë ekspertët, duke përfshirë mungesën e cisternave ajrore të karburantit.

Izraelit, po ashtu, i duhet të marrë leje prej disa shteteve, që pajisjet e tij të kalojnë nëpër disa hapësira ajrore, para se ato të arrijnë në Iran.

Ekspertët besojnë që nëse shpërthen lufta, Izraeli ka shumë mundësi të nisë raketa me rreze të gjatë kundër Iranit.

Në anën tjetër, mbrojtja ajrore e Teheranit nuk është e testuar në fushëbetejë.

Ekspertët kanë thënë se duke marrë parasysh avantazhin ushtarak të Izraelit, Irani ka shumë mundësi të vazhdojë luftën jokonvencionale me kapacitete asimetrike.

Kjo përfshin angazhimin e “Boshtit të Rezistencës”, rrjetit të grupeve militante të përkrahura nga Irani, të cilat e kundërshtojnë dhe me raste luftojnë Izraelin./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA