Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Agron Zhukri, i cili pas 30 viteve në sistemin e drejtësisë, u konsiderua me pasuri të pajustifikuara.
Gjyqtari, i cili gjatë 2022 dha vendim për çështjen e vulës së PD, duke i dhënë të drejtë Grupit të Rithemelimit, iu nënshtrua procesit të rivlerësimit vetëm për njërin nga kriteret, atë të pasurisë. Për dy kriteret atë të aftësive profesionale dhe të pastërtisë së figurës gjyqtari kërkoi rihapjen e hetimit administrativ.
Por ndërkohë KPK tha mes të tjerash se e gjen në pamundësi financiare gjyqtarin sidomos sa i takon pagesave nga bashkëshortja për dy apartamenteve në Tiranë, blerë për 280 mijë euro.
Pavarësisht se për këto pasuri ishte deklaruar një kredi 180 mijë euro KPK hodhi dyshime. KPK tha se ka balancë negative për kriterin e pasurisë.
Gjyqtari depozitoi shkresa argumentuese nga të ardhurat prej angazhimit në ambasadën shqiptare në Romë por edhe deklaratat e bashkëshortes mbi fitimet nga një agjenci udhëtimesh, por nuk u mor parasysh. Prozhektorët u kthyen nga Agron Zhukri dy vjet më parë, kur gjatë konfliktit në Partinë Demokratike i dha të drejtë Sali Berishës.
Çështja e vulës përfundoi në Gjykatën e Lartë, që shqyrtoi rekursin dhe e ktheu luftën për vulën në Gjykatën e Apelit, ku dhe është hedhur shorti për caktimin e trupës gjyqësore.
Pas vendimit për vulën e Partisë Demokratike, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi e kallëzoi në SPAK gjyqtarin, i cili i dha të drejtë Berishës duke regjistruar ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit.
Sipas dokumentit të dorëzuar nga Bardhi, gjyqtari ka shkelur vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore.
Top Channel