Pas BE, reagon edhe Ambasada Amerikane: Dënojmë aktet e dhunës në protestën para Bashkisë së Tiranës

19/04/2024 13:54

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pas protestës së opozitës para Bashkisë së Tiranës.

SHBA dënon dhunën e ushtruar gjatë protestës, shkruhet në deklaratën e ambasadës, ndërsa theksohet se aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme.”

Kujtojmë se qytetarë dhe zyrtarë të opozitës protestuan sërish para bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të ish-zyrtarëve bashkiakë.

Protestuesit hodhën bomba molotov para godinës së Bashkisë së Tiranës, bojë, pampersa dhe mollë.

Dhjetëra forca policie rrethuan godinën për të siguruar rendin para bashkisë, ndërsa qytetarët bashkë me këshilltarët bashkiakë të opozitës shpartalluan kordonin metalik për të tentuar të hynin në godinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA