Mijëra njerëz protestojnë kundër ligjit për “agjentët e huaj” në Gjeorgji

19/04/2024 08:33

Mijëra gjeorgjianë kanë protestuar para ndërtesës së Parlamentit të enjten në Tbilisi, duke kërkuar që Qeveria ta tërheqë menjëherë një projektligj kontrovers për “agjentët e huaj”.

Deputetët gjeorgjianë e kaluan në lexim të parë këtë projektligj, përkundër thirrjeve nga grupet e shoqërisë civile dhe nga disa qeveri perëndimore, sipas të cilëve projektligji është kopje e ligjit rus për “agjentët e huaj”, të cilin Moska e ka përdorur për t’i luftuar zërat kundërshtarë.

Poeti Rati Amaglobeli, duke folur në protestë të enjten, tha se Qeveria e ka një orë kohë për ta shfuqizuar projektligjin, në të kundërtën “do të përballet me vullnetin e pathyeshëm të popullit gjeorgjian”.

Pak orë më herët, 83 deputetë e mbështetën projektligjin në leximin e parë, ndërsa asnjë nuk votoi kundër. Nuk ka pasur reagime të menjëhershme nga zyrtarët qeveritarë, apo nga partia në pushtet e Gjerogjisë, Ëndrra Gjeorgjiane, e cila e risolli këtë projektligj që do t’i detyronte kompanitë e financuara nga jashtë të regjistrohen si agjente të huaja.

Ky legjislacion, i cili nxiti protesta të mëdha kur u soll vitin e kaluar, duke e nxitur Qeverinë ta tërheqë projektligjin, parasheh gjithashtu edhe kompetenca të mëdha mbikëqyrëse për autoritetet dhe dënime të mundshme penale për vepra të paspecifikuara penale.

“Pyes, a është kërkesë e jona tërheqja e këtij ligji sot? Po, sot! Ata duhet ta bëjnë një deklaratë politike sot, siç e bënë vitin e kaluar”, tha Amaglobeli para turmës.

Ai nuk tregoi se çfarë planesh kishin protestuesit, nëse projektligji nuk shfuqizohet. Leximi i dytë dhe përfundimtar i këtij projektligji është caktuar të mbahet më 17 maj. Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, tha për BBC se ajo do të përdorë veto kundër projektligjit, nëse ai kalon në leximin e dytë.

Zurabishvili tha se shqetësimi i saj kryesor është se projektligji në fjalë është “tamam kopje e ligjit të [presidentit rus Vladimit] Putin”. Megjithatë, Zurabishvili tha se partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane ka mjaft deputetë për ta rrëzuar veton e saj. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuar me kalimin e këtij projektligji në lexim të parë. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA