Fshehin vendndodhjen e nipit 3-vjeçar me gjyshen e tij, lihen në burg gjyshi dhe kunati! Avokatja: Prokuroria vijon hetimet

19/04/2024 14:52

Gjykata e Durrësit ka caktuar masës e sigurisë “arrest me burg” ndaj gjyshit të 3-vjeçarit, Rexhep Gjuni dhe vëllait të gjyshes, Arben Selaj, e cila është shpallur në kërkim, pasi që nga e shtuna ka marrë pa të drejtë nipin e saj nga e ëma.

Pas çasteve të para, gjyqtarja e seancës vendosi zhvillimin e saj me dyer të mbyllura.

Avokatja Arta Gecaj tha për mediat se prokuroria do vazhdojë hetimet, ndërsa theksoi se nuk mund të bëjë të ditur asnjë detaj në lidhje me çësthjen, sepse kemi të bëjmë me një të mitur.

U mbyll seanca për caktimin e masës së sigurimit. Është marrë në vendim. Në kushtet kur kemi të bëjmë me një të mitur, nuk mund të thuhet asgjë sepse është sekret hetimor. Tani do vazhdojë prokuroria hetimet. Është vendos ajo që ishte “Arrest me burg” nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk mund të thuhet asgjë më shumë se kaq”, tha ajo.

Nëna ka bërë apel mes lotësh vjehrrit t’ia kthejnë djalin, pasi sipas saj e kanë ata. Kontrollet për gjetjen e tij po vazhdojnë me intensitet në të gjitha zonat e mundshme. Ille Gjuni 22 vjeçe e ka fëmijë të vetëm, djalin 3 vjeç. Ajo thotë se pas vdekjes së të shoqit në aksident e dërgonte djalin te gjyshërit, por pas vizitës të gjyshërit nuk e kthyen më te e ëma.

Duke qenë se çështja konsiderohet tejet e ndjeshme për shkak të ngjarjeve në familjen Gjuni, që në shkurt të vitit 2023 humbi njërin nga dy djemtë, policia është treguar e kujdesshme në trajtimin e rastit, ndërkohë që nëna tejet e dëshpëruar pret të marrë në krah fëmijën e saj. Ile Gjuni thotë për TCH se nuk ka dijeni ku mund ta ketë çuar dhe lutet që fëmija të jetë mirë, në shëndet të plotë dhe t’i kthehet sa më parë.

Ajo hedh poshtë pretendimet për konflikt mes saj dhe gjyshërve të djalit në lidhje me përfitimet pasurore pas vdekjes së bashkëshortit.

Gjykata e Durrësit ka caktuar:

1. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim R.Gjuni, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. Gjuni, atë të “Arresit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
3. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim A. Selaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim A. Selaj, atë të “Arresit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
5. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5(pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA