Tirana është bashkia e parë që krijon një zonë të lirë ekonomike.
Bashkia e kryeqytetit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA Tirana), e cila ndodhet mes Kasharit dhe Vaqarrit. Marrëveshja, tha kryebashkiaku Veliaj, nuk i hap rrugë thjesht ndërtimit të infrastrukturës, por edhe thirrjeve të para për bizneset që duan të aplikojnë për t’u bërë pjesë e zonës ekonomike.
“Europa nuk është një nocion abstract. Nuk vjen Zana e Malit që ta bëjë Shqipërinë si gjithë Europa. Por, çdo ditë duhet të bëjmë nga një copë të vogël të Shqipërisë si gjithë Europa. Mënyra më e mirë për t’ju përgjigjur jo vetëm negociatave, por edhe aspiratave, është që çdo ditë të bëjmë atë të voglën tonë. Sot skuadrat tona po bëjnë të voglën e tyre, që edhe ajo pjesë djerrë të bëhet një hapësirë europiane”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se pavarësisht debateve me të cilat është shoqëruar çdo projekt, në fund ka rezultuar i suksesshëm dhe se TEDA do të gjenerojë rreth 7 mijë vende të reja pune.
“Nëse nuk pengojmë njeri-tjetrin, po ju turrëm kësaj pune me energji të mirë, dhe duke inkurajuar secilin proces, ne mund të bëjmë një punë të mrekullueshme. Ne konkurrojmë sot me Shkupin, Greqinë e Veriut, Serbinë e Jugut dhe Malin e Zi. Në këtë sens, do duhet të tregojmë pse Tirana është “nona” dhe pse Tirana është vendi ku duhet të investojmë. Mos u shqetësoni për zhurmën. Ne duhet të funksionojmë si orkestër që prodhon muzikë. Besomëni ka një minorancë të zhurmshme që do të marrë gjithë vëmendjen dhe e merr, si një kloun që del në cirk për ta duartrokitur kalamajtë. Por, asnje nuk voton një kloun që të drejtojë punët e ekonomisë dhe punësimit, shkollat, kopshtet dhe çerdhet”, tha Veliaj.
Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nënvizoi se kjo zonë përfaqëson një nismë strategjike, që duhet të shërbejë si një katalizator inovacioni, investimesh dhe zhvillimi të qëndrueshëm, ku një kompani ndërkombëtare mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u bërë pjesë e saj.
Top Channel